Tetë persona kanë vdekur dhe shumë të tjerë janë plagosur për shkak të përleshjeve të dhunshme në disa zona të provincës jugore të Kazakistanit, Zhambyl. Lajmin e konfirmoi ministri i Brendshëm, Yerlan Turgumbayev.
Rreth 70 persona ishin të përfshirë fillimisht në një përleshje, ndërsa 300 të tjerë arritën më vonë nga fshatrat përreth, bëri të ditur Ministri i Brendshëm.
Gjithashtu njerëzit u përplasën edhe me policinë, duke plagosur dy zyrtarë me armë zjarri. Dhjetëra ndërtesa dhe vetura u dëmtuan gjatë përleshjeve. Ministri Turgumbayev njoftoi se autoritetet kanë arrestuar 47 persona dhe se kanë konfiskuar dy pushkë gjuetie, shkruan “Reuters”.
Në një deklaratë, Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, tha se policia dhe Rojet Kombëtare e kanë situatën nën kontroll, duke i bërë thirrje qeverisë që të marrë masa për ruajtjen e qetësisë në këto fshatra.