Fundjava sjell derbin e Milanos, një ndër duelet më të zjarrta në Serie A. Inter dhe Milan do të përplasen mes tyre të dielen (20:45). Zikaltrit duan fitoren për objektivin titull, teksa tre pikët i kërkon edhe Milani i Stefano Piolit për të vijuar ngjitjen drejt vendit të katërt.
Trajneri i kuqezinjve analizon kundërshtarin në një prononcim për Sky Sport dhe ndalet te gjendja e Zlatan Ibrahimovic. Sulmuesi suedez mungoi përballë Veronës për shkak të gripit, por shpresat janë të mëdha që të jetë gati për derbin.
“Kjo do të jetë një javë e veçantë dhe shumë e rëndësishme. Nuk ia dolëm të fitonim me Veronën, por tani duhet të mendojmë vetëm për këtë ndeshje delikate. Interi është një skuadër e fortë dhe janë solidë në të gjithë repartet.
Janë të kompletuar, por në derbi nuk ka rëndësi vlerat dhe distanca mes ekipeve. Ibrahimovic? Të heqësh Ibrën prej nesh është si t’i heqësh Lukakun Interit, Immobilen Lazios dhe Ronaldon Juventusit. Ibra ka pësuar një lodhje nga gripi, por e ka kaluar dhe shpresojmë të jetë gati në fundjavë“, thekson Pioli. /abcnews.al