Rritja më e ulët në 4 vite, përkeqësohen treguesit ekonomik të vendit

schedule14:04 - 31 Janar, 2020

schedule 14:04 - 31 Janar, 2020

Rritja ekonomike në vitin 2019 pritet të jetë vetëm 2.7%, nga rreth 4.3% që ishte pritshmëria në fillim të vitit, sipas Kuadrit të ri Makro Ekonomik dhe Fiskal 2020-2023 të publikuar sot në Fletoren Zyrtare. Ky është niveli më i ulëti që nga viti 2015, kur rritja rezultoi në nivelin e 2.2%.

Në një intervistë të mëparshme për Monitor, Ministrja e Financave, znj. Anila Denaj pohoi se ekonomia shqiptare vlerësohet të jetë rritur me 2.7% në vitin 2019, duke shtuar se ngadalësimi i ekonomisë lidhet me faktorë që ndodhin një herë, si rënia e prodhimit të energjisë, mbyllja e lojërave të fatit, apo tërmeti që goditi vendin në fund të nëntorit. “Në vitin 2019, rritja ekonomike u rishikua, kjo është artikuluar disa herë në disa nga daljet e mëparshme publike dhe e lidhur kryesisht me disa faktorë të ndodhur një herë, si ai i energjisë apo i mbylljes së lojërave të fatit, që çuan në tkurrjen e ekonomisë në vitin 2019”, tha ajo.

Sipas tabelave të publikuara në kuadrin e ri makro, vendi ka shënuar përkeqësim dhe në drejtim të mbledhjes së të ardhurave buxhetore. Ato vlerësohen në 27.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga 27.7-27.7% e PBB-së që janë mbledhur në vitet e mëparshme.

Financat janë optimiste në të ardhmen. “Ekonomia pritet të vazhdojë trendin pozitiv në periudhën afatmesme. Rritja ekonomike parashikohet të vijojë të qëndrojë në nivelin prej 4% gjatë tre vjetëve tjerë, 2021–2023”, thuhet në raport.

Gjatë periudhës afatmesme, rritja pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si

konsumi privat ashtu edhe investimet. Ndërkohë, kërkesa e huaj neto (eksport-import) pritet të sjellë,

gjithashtu, një efekt pozitiv, por margjinal. Konsumi privat pritet të nxitet kryesisht nga përmirësimi i besimit të konsumatorit, si dhe nga përmirësimet në tregun e punës. Këto të fundit pritet të transmetohen në një rritje graduale të pagave, të cilat më tej pritet të stimulojnë të ardhurat reale të disponueshme të individëve, duke krijuar efektin e raundit të dytë në nxitjen e konsumit, si dhe duke intensifikuar prirjen e konsumatorëve për financimin e mëtejshëm të konsumit nëpërmjet një kredimarrjeje më të lartë. Ndërkohë, kredimarrja për konsum parashikohet të nxitet nga përmirësimi i kushteve financiare të individëve, ashtu edhe nga lehtësimi i pritshëm i standardeve të huadhënies nga sistemi bankar.

Ndërsa, rritja graduale e investimeve pritet të nxitet nga shfrytëzimi më i intensifikuari kapaciteteve ekzistuese të prodhimit, i vërejtur së fundmi, si dhe nga përshpejtimi i aktivitetit ekonomik, gjatë periudhës së parashikuar, dhe perceptimi i përmirësuar i biznesit mbi perspektivën ekonomike afatmesme e afatgjatë. Njëkohësisht, edhe vijimësia e përmirësimit të kushteve financiare dhe i lehtësimit të standardeve të huadhënies pritet të jetë një faktor i rëndësishëm incentivues i investimeve private në afatin e mesëm. /monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!