Heroi i Milanit në çerekfinalen e Kupës përballë Torinos ishte hakan Calhanoglu. Mesfushori turk me dy golat e tij i dhuroi kualifikimin kuqezinjve për në gjysmëfinale, ku do të përballen me Juventusin. Në një intervistë për “Milan TV”, Hakan tregon për golat e shënuar, impaktin e Ibrës si dhe çfarë pret nga ndeshja e radhës kundër Veronës.
“Jam shumë i lumtur për dopietën time në Kupë. Kisha nevojë të shënoja dhe më bëhet qejfi për të gjithë tifozët tanë. E kërkuam kualifikimin dhe ia arritëm. Sigurisht ardhja e Ibrës na ka ndihmuar shumë. Ai është një kampion i vërtetë. Që nga momenti kur ai mbërriti këtu, ne kemi fituar shumë ndeshje,” tregon numri 10 i Milanit.
“Hellas Verona? Ata kanë një ekip të fortë, por ne duhet të ruajmë qetësinë. Duhet ti marrim ndeshjet një nga një dhe të jemi të përqendruar. Luajmë përpara publikut tonë në “San Siro” dhe duhet të japim maksimumin tonë në fushën e lojës. Duam tre pikët dhe për ti marrë ato na duhet të luajmë me zemër dhe me dëshirë për të fituar,” përfundon mesfushori kuqezi./abcnews.al