Ndjekje si në filma, policia kap “me presh në duar” super hajdutët në Fier

schedule10:38 - 31 Janar, 2020

schedule 10:38 - 31 Janar, 2020

Policia e Fierit ka shkatërruar një grup hajdutësh profesionistë që kishin bërë kërdine me vjedhje shtëpish dhe sendesh me vlerë në zonë.

Ata kishin kryer një mori vjedhjesh, por në njërën prej tyre nuk patën sukses duke bërë që të arrestoheshin pas një ndjekjeje si në filma.

Banorët e zonës njoftuan policinë për praninë e hajdutëve, por me të mbërritur aty forcat e rendit keqbërësit kanë vjedhur një makinë për t’u larguar nga vendi ngjarjes duke bërë që policia t’i ndjekë nga pas.

Të arrestuar janë katër persona të moshave të ndryshme.

Njoftimi i plotë

Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjes së pronës, zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, pas kallëzimit të bërë nga banorë të zonës se në Cakran po tentohej të vidheshin 2 banesa, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin e koduar “Shëtitësit” dhe falë veprimeve të shpejta dhe të mirëorganizuara u godit grupi kriminal që vidhte banesat në Fier.

Gjatë operacionit, 2 prej autorëve tentuan të largoheshin me një automjet, të cilin e vodhën në banesën e shtetasit F. S. dhe gjatë tentativës për t’i ikur ndjekjes së Policisë, goditën me automjet shtetasin T. B., 36 vjeç, i cili u ka bërë me shenjë për të ndaluar, por ata e kanë përplasur dhe përsëri tentuan të largoheshin, por u kapën gjatë ndjekjes nga Policia.

Shtetasi T. B. ndodhet në Spitalin Rajonal Fier, nën kujdesin e mjekëve.

Në vijim të veprimeve, specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasit:
A. L., 27 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar disa herë për vjedhje.

Ky shtetas ishte edhe person në kërkim, pasi Gjykata e Beratit i ka vendosur masën “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”.
E. D., 31 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar disa herë për vjedhje.
A. L., 31 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për vjedhje.
L. N., 24 vjeç, banues në Frakull, Fier.

Në sajë të materialeve të administruara dhe veprimeve hetimore, rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë autorë edhe të rasteve të mëposhtme të vjedhjes së banesave:

Në datën 30.05.2019, në fshatin Ferras, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetases E. M., ku kanë marrë 5 milion lekë, disa sende me vlerë dhe bizhuteri floriri.

Në datën 19.11.2019, në fshatin Kafaraj, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetasit J. B., ku kanë marrë një sasi parash dhe pajisje elektroshtëpiake.

Në datën 13.11.2019, në fshatin Frakull e Madhe, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetasit M. H., ku kanë marrë 1 milion e 700 mijë lekë dhe disa bizhuteri floriri.

Në datën 23.01.2020, në fshatin Ferras, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetasit R. N., ku kanë marrë 2 milion e 800 mijë lekë dhe disa bizhuteri floriri.

Vijon puna për dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve të banesave të kryera nga këta shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Vjedhja me dhunë”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!