Policia reagon pas aksionit të RENEA-s: Gjetëm provat e rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës

schedule10:36 - 30 Janar, 2020

schedule 10:36 - 30 Janar, 2020

RENEA zhvilloi një operacion “blic” gjatë 24 orëve të fundit në Shkodër në kërkim të personave të përfshirë në rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës më datë 17 janar.

Në një njoftim të para pak minutave, policia konfirmon se gjatë kontrolleve të ushtruara në Shkodër kanë gjetur provat e duhura që do të çojnë në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, por nuk bën me dije nëse ka të ndaluar apo çfarë provash janë sekuestruar.

“Në këtë kuadër, në qytetin e Shkodrës dhe rrethinat e saj, mëngjesin sotëm janë ushtruar kontrolle në banesa, biznese, magazina e objekte të braktisura dhe si rezultat i kontrollit janë siguruar prova të vlefshme që shërbejnë për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes”, bën me dije policia.

Njoftimi i plotë

Në vijim të operacionit “Resorti”, Sektori për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, Forcat Speciale Renea dhe DVP Shkodër, ka vijuar kontrolle të pandërprera, me qëllim sigurimin e provave për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes mbi rrëmbimin e shtetasit J. P., të ndodhur në rrugën “London”, Kamzë, si dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje me pasojë humbjen e jetës së shtetasit J. P.

Në këtë kuadër, në qytetin e Shkodrës dhe rrethinat e saj, mëngjesin sotëm janë ushtruar kontrolle në banesa, biznese, magazina e objekte të braktisura dhe si rezultat i kontrollit janë siguruar prova të vlefshme që shërbejnë për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes.

Sektori për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, vijon veprimet për sigurimin e çdo prove të vlefshme që i shërben ngjarjes, si dhe për kapjen e personave të tjerë që janë të implikuar në këtë ngjarje.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!