Presidenti malazez, Milo Gjukanovic theksoi në Tivat se po abuzohet me lirinë fetare për të rrëzuar Malin e Zi dhe u bëri thirrje qytetarëve që të mos bëhen “pjesë e këtij projekti të çmendur”.
“Ne kemi një qëllim shumë të qartë, që është të sigurojmë zbatimin e pakushtëzuar të neneve kushtetuese në Kushtetutën e Malit të Zi, që është ndarja e kishës nga shteti dhe liria e garantuar e fesë”, tha Gjukanoviç. Presidenti malazez theksoi se Kisha Ortodokse në Mal të Zi është e pavarur dhe ka të gjitha atributet e pavarësisë.
Ai foli gjithashtu për ata që duan të rikthejnë idenë e mëparshme se Mali i Zi është një shtet tjetër serb. “Kjo është, në të vërtetë, mosmarrëveshja themelore e nacionalizmit të madh serb me pavarësinë e Malit të Zi “, tha ai. Gjukanoviç tha se, “nacionalizmi i madh serb nuk u pajtua kurrë me pavarësinë e Malit të Zi dhe vazhdoi të ëndërrojë ëndrrën e tij, të rikompozojë Ballkanin, të bëjë një Serbi më të madhe, Shqipëri, Kroaci, dhe që pjesa tjetër të zhduket”, theksoi ai.
Gjukanovic më tej tha se ky është plani që ka ekzistuar gjithmonë në vitet 1990 dhe që shkaktoi një numër të madh viktimash. “Pra, as nuk mund të jetë Serbia e madhe, dhe as Shqipëria e madhe, mund të jetë vetëm një tragjedi e madhe,” theksoi ai. Gjukanovic nënvizoi se 30 vjet pas kësaj, idetë e vjetra janë përsëri në tryezë, dhe pjesë e këtyre ideve është nacionalizmi i madh-serb./abcnews.al