Pioli i gëzuar: Milan i shëmtuar, por fitues. Paqueta? Të ulë kokën!

schedule09:59 - 25 Janar, 2020

schedule 09:59 - 25 Janar, 2020

Milan arriti një fitore shumë të rëndësishme mbrëmjen e djeshme në transfertë e Brescias. Kuqezinjtë rrëmbyen tre pikët falë golit të Rebic në pjesën e dytë, por edhe një super Donnarumma. Trajneri Pioli pas ndeshjes shprehet i lumtur për fitoren si dhe tregon ndryshimin që ekipi po kalon.

“Nuk është një Milan i bukur, por fiton. Kemi kaluar shumë vështirësi, por e kemi mentalitetin fitues dhe kemi aftësitë për të rigjetur rezultatet pozitive. Duhet të mësojmë nga çdo ndeshje dhe vetëm duke i marrë ndeshjet një nga një mund të ecim përpara. Për sa i përket vendosjes taktike dhe nivelit teknik, duhet akoma dhe më shumë punë,” tregon Pioli për “Sky Sport”.

“Po përmirësohemi me kalimin e kohës. Tashmë jemi një ekip tjetër nga ai që e filluam, pasi ka ndryshuar dëshira për të luajtur dhe mundësitë për të fituar. Brescia krijoi disa raste të mira, por ia dolëm me sukses. Ibra na ka dhënë një tjetër vlerë në fushë. Që nga humbja në Bergamo kemi punuar shumë dhe ekipi po e tregon në fushë ndryshimin,” deklaron tekniku italian.

“Merkato është ende e hapur. Nëse do të ketë largime, atëherë do të ketë dhe afrime. Drejtuesit po punojnë, por ditët e fundit janë të komplikuara. Paqueta? Ai po kalon një moment të vështirë. Do të dëshiroja ta grumbulloja, por dje nuk ishte shumë i qetë. Më mirë për të është të vazhdojë stërvitjen, sesa të rrinte gjithë kohën në stol,” mbyll Pioli. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!