Ka arritur në 17 viktima bilanci i epidemisë së pneumonisë nga virusi i ri që është shfaqur në Kinë. Deri tani, janë konfirmuar mbi 570 raste të personave te infektuar me këtë virus.
Autoritetet njoftuan mbrëmë se kishin vënë në karantinë qytetin Wuhan, me popullsi prej 11 milion njerëz kryeqendër e provincës Hubei, ku besohet se ishte shpërthimi fillestar i epidemisë. Në Vuhan është urdhëruar mbyllja përkohësisht e transportit publik. Popullsia që jeton në këtë qytet është këshilluar që të mos largohen, ndërkohë që miliona kinezë po udhëtojnë për festën e Vitit të Ri kinez.
Në javën e fundit, rastet e konfirmuara të sëmundjes janë trefishuar dhe tani janë zbuluar në 13 provinca kineze, por edhe në Pekin, Shanghai, Tianjin dhe qytete të tjera kineze, si dhe në Tajlandë, Korenë e Jugut, Japoni dhe SHBA.
Edhe Meksika raportoi dje një rast të mundshëm. Deri tani vdekjet janë regjistruar vetëm në vatrën e shpërthimit të epidemisë, qyteti Wuhan i provincës Hubei.
Kina e ka pranuar se virusi ka filluar të shpërndahet nga njeriu të njeriu, pasi më parë mendohej ai mund të transmetohej vetëm nga kafshët te njeriu.
Virusi është një lloj i ri i koronavirusit, që nuk është identifikuar më parë te njerëzit. Simptomat e tij janë probleme me frymëmarrje, kollë dhe ethe.
Ndërkohë sipas CNN, po punohet në një pistë tjetër për të gjetur shkakun e koronavirusit, pasi ka dyshime se vjen nga gjarpërinjtë e pikërisht nga kobra apo kraiti kinez pasi këto lloje gjendet shumë të përhapura në provincën Hubei.
Autoritetet në shumë vende, përfshirë Australinë, Singaporin, Hong Kongun, Tajvanin, SHBA-në, Rusinë dhe Japoninë kanë rritur kontrollin e pasagjerëve që udhëtojnë nga qyteti kinez Vuhan./abcnews.al