Massimo Moratti nuk mund të qëndrojë larg Interit dhe shpreson që ekipi i tij i zemrës të arrijë të fitojë titullin kampion këtë sezon. Ish-presidenti legjendar i klubit zikaltër ka dhënë një prononcim për Il Giorno, aty ku jep një premtim, thur elozhe për Antonio Conten dhe analizon ecurinë e Interit.
“Jam gati të lë cigaren nëse Interi fiton titullin. E bëj këtë sakrificë dhe pres që ekipi të më dhurojë emocione. Duhet të kemi edhe pak fat në fitimin e titullit. Skuadra është, gjithashtu edhe trajneri. Antonio Conte është i aftë, pres një fazë të dytë emocionuese dhe një mbyllje siç duam ne tifozët.
Trajneri vendos zemër dhe pasion në punën e tij, teksa po ia del të marrë maksimumin nga të gjithë lojtarët. Është edhe shumë kompetent. Shpresoj që Interi të rikthehet te fitimi i trofeve, do të hiqja dorë nga pirja e cigares për këtë“, përfundon Moratti. /abcnews.al