Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, foli pas fitores 4-1 kundër Teutës në miqësore. Në fjalën e tij, numri një i stolit korçar pranoi se kjo ishte thjesht një ndeshje miqësore, por i pëlqyen shumë gjëra nga ata që futbollistët e tij treguan në fushën e lojës.
“Në ndeshjet miqësore, nuk është element kryesor rezultati, pavarësisht se sot kishim përballë një ekip që ka bërë shumë mirë në gjysmën e parë të kampionatit. Ajo që më kënaqi më shumë ishte lëvizshmëria dhe loja në grup e ekipit. Gjithashtu, edhe forma e mirë e lojtarëve, për të qenë gati për të startuar që në javën e parë të rifillimit të kampionatit.
Elementi i dytë që ishte pozitiv, ishte që disa lojtarë të rinj, sidomos Elezi, që është vetëm 18 vjeç dhe ishte pjesë e formacionit bazë, ka bërë një paraqitje shumë të mirë në të gjitha ndeshjet miqësore që kemi luajtur. Edhe në pjesën e dytë, disa lojtarë të tjerë bënë paraqitje të mirë.
Jemi gati si të gjithë ekipet e tjera, kemi qenë dhe do të jemi deri në fund të merkatos prezentë, për të plotësuar ato mangësi që kemi. Shpresojmë ta mbajmë këtë kontingjent që kemi dhe shpresojmë që në ndeshjen e parë kundër Partizanit, të prezantohemi mirë para tifozëve tanë në Korçë”./abcnews.al