Zakonisht dy ekipet e një qyteti nuk ndërrojnë lojtarë mes tyre. Transferimi te armiqtë e anës tjetër do të pritej shumë keq nga tifozët, por Milan dhe Inter janë ndryshe. Dy klubet e Milanos nuk e kanë aspak problem këtë gjë, madje edhe tifozët respektivë janë mësuar me lëvizjet nga njëri krah në tjetrin.
Diçka e tillë pritet të ndodhë sërish dhe drejtuesit e klubeve po negociojnë. Gazzetta dello Sport raporton se ideja fillestare ishte një shkëmbim Kessie-Gagliardini, opsion që është diskutuar në muajin dhjetor.
Më pas u fut Politano në lojë, por lojtari zikaltër po përgatit valixhet për t’u larguar drejt Romës. Zikaltrit e pëlqejnë mesfushorin afrikan të Milanit dhe kanë bërë propozimin e radhës. Ai është Matias Vecino. Bisedimet vazhdojnë, teksa duhen marrë edhe mendimet e trajnerëve dhe lojtarëve për këtë shkëmbim. /abcnews.al