Juventus dhe Inter po duelojnë për fitimin e titullit kampion, por dy klubet janë përplasur mes tyre edhe në merkato. Dejan Kulusevski ishte një ndër objektivat e përbashkëta, por garën për talentin 19-vjeçar e fituan bardhezinjtë.
I shumëdëshiruari i radhës është Federico Chiesa. Ylli i Fiorentinës është një nga lojtarët më premtues italianë dhe dy klubet e mëdha e ndjekin prej kohësh. “Dua ta mbaj, por nëse lojtari dëshiron të largohet kjo mund të ndodhë nëse vjen oferta e duhur“, është shprehur Rocco Commisso, kreu i klubit nga Firence.
22-vjeçari do të mbyllë sezonin me Fiorentinën dhe në verë mund të vijë largimi i tij. Fabio Paratici dhe Giuseppe Marotta janë gati për duelin e radhës. Sulmi ndaj Chiesës do të nisë në verë dhe e ardhmja e tij është e ndarë midis Milanos dhe Torinos, gjithmonë nëse nuk vjen ndonjë ofertë tunduese nga jashtë Italisë. /abcnews.al

