Seanca e Kuvendit të Kosovës, e cila zgjati për gati 12 orë, është shtyrë pa u zhvilluar diskutimi për Projektligjin që synon kufizimin e mandatit të Gjykatës Speciale.
Shkak për shtyrjen u bë mungesa e numrit të nevojshëm të deputetëve në sallë, çka pamundësoi kalimin nga pika e rendit të ditës që lidhej me energjinë, te shqyrtimi i projektligjit për Gjykatën Speciale.
Në momentin kur pritej të diskutohej kjo çështje, në sallë ndodheshin vetëm 38 deputetë.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu bëri të ditur se data për vazhdimin e seancës do të caktohet pas konsultimeve me shefat e grupeve parlamentare.
Projektligji ishte përfshirë në rendin e ditës një ditë më parë, pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për rrëzimin e vetos së presidentes Justina Shiroka-Pula dhe rikthimin në fuqi të versionit të miratuar më herët nga deputetët në dy lexime.
Kujtojmë se presidentja e kishte kthyer ligjin në Kuvend, pas kërkesës së vetë PDK-së për të bërë disa ndryshime në përmbajtjen e tij.
Megjithatë, më pas PDK ndryshoi qëndrim, duke kërkuar që të miratohej fillimisht versioni i mëparshëm i ligjit dhe që ndryshimet të bëheshin përmes amendamentimit pas hyrjes së tij në fuqi.
Për momentin, çështja mbetet e pazgjidhur në Kuvend, ndërsa diskutimi dhe votimi për projektligjin pritet të zhvillohen në vazhdimin e radhës të seancës.


