Shtëpia e Bardhë u vendos përkohësisht në izolim të hënën, pas dy incidenteve të sigurisë që ndodhën pranë saj, ndërsa dy persona janë arrestuar. Një automjet u përplas me një tabelë sinjalistike pranë rezidencës presidenciale, duke shkaktuar reagimin e menjëhershëm të Shërbimeve Sekrete Amerikane. Effekte…
Mediat në Washington raportuan se në momentin e përplasjes, presidenti amerikan Donald Trump ndodhej në Shtëpinë e Bardhë.
Videot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin e arrestimit të drejtuesit të automjetit, pas një përplasjeje fizike me efektivët e Shërbimit Sekret dhe pjesëtarët e Gardës Kombëtare, të cilët ndërhynë në vendngjarje. Effekte…
Në pamjet e publikuara, automjeti shihet i përplasur me një tabelë në pjesën veriore të Sheshit Lafayette, përballë Shtëpisë së Bardhë, ndërsa prej tij dilte tym i bardhë. Rreth orës 10:00 të mëngjesit, me kohën lokale në Washington, Shërbimi Sekret u kërkoi gazetarëve të akredituar në Shtëpinë e Bardhë të futeshin brenda ndërtesës, ndërsa agjentët po reagonin ndaj situatës. Në operacionin për ndalimin e drejtuesit të automjetit u përfshinë edhe efektivë të Gardës Kombëtare.
Incidenti i dytë lidhej me një person që tentoi të kapërcente një barrikadë pranë cepit veriperëndimor të Parkut Lafayette, ndërsa Shërbimi Sekret Amerikan deklaroi se ky person u arrestua.
Identiteti i personave të arrestuar nuk është bërë i ditur nga autoritetet amerikane, të cilat po hetojnë ngjarjen dhe kanë deklaruar se, fatmirësisht, nuk pati asnjë person të plagosur. Hetimet vijojnë gjithashtu për të përcaktuar nëse përplasja e automjetit ishte e qëllimshme.


