Prokuroria e Lartë Publike në Munih konfirmoi për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL) se në Gjermani ishte zhvilluar procedurë penale kundër një të mituri, i dyshuar për kryerjen e një sulmi terrorist ndaj Ambasadës së Izraelit në Beograd.
Gjatë këtij sulmi, një pjesëtar i Xhandarmërisë serbe, që e ruante ndërtesën, e vrau sulmuesin.
Siç thuhet në përgjigjen më 30 tetor dhënë për REL-in, Gjykata e Qarkut në Munih, në qershor të vitit 2026, lëshoi fletarrestim për një shtetas 17-vjeçar të Serbisë, nën dyshimin për kryerjen e disa veprave penale, ndër të cilat edhe “dhënia e udhëzimeve për kryerjen e një vepre penale terroriste”, si dhe për përhapjen dhe përdorimin publik të simboleve të organizatës ekstremiste, Shteti Islamik.
“Ai dyshohej se ka vëzhguar sheshin Sankt-Jakobs-Platz në Munih dhe është përpjekur të sigurojë armë për të kryer një sulm ndaj Muzeut Hebraik atje. Nga 22 qershori deri më 24 korrik 2026, ai ishte në paraburgim në një institucion korrektues për të mitur”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Lartë Publike në Munih.
Nga ky institucion thonë se i dyshuari nuk ishte dënuar më parë dhe se që nga viti 2022 kishte jetuar te babai i tij në Munih, ndërsa më 24 korrik 2026 ishte dëbuar në Serbi, te nëna e tij që jeton në këtë shtet.
Siç njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, sulmuesi i mitur, i armatosur me dy thika, sulmoi natën mes 27 dhe 28 tetorit një pjesëtar të Xhandarmërisë që ruante ndërtesën e Ambasadës së Izraelit në Beograd.
Sulmuesi, duke thirrur “Allahu Akbar [Zoti është i madh]”, iu vërsul xhandarit me dy thika, pas së cilës pjesëtari i Xhandarmërisë përdori armën e zjarrit, njoftoi ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq.
Ai njoftoi po ashtu se, “ndonëse identiteti i tij ende nuk është përcaktuar, shërbimi ynë e kishte përcjellë dhe dihet se ishte përkrahës i Shtetit Islamik”.
Hetimet po i zhvillon Prokuroria për Krimin e Organizuar e Serbisë, e cila më herët konfirmoi për REL-in se prokurori e kishte udhëzuar policinë të merrte në pyetje njerkun dhe nënën e “të miturit D.N., për të cilin dyshohet se është personi [N.N.] që kreu sulmin”.
Sulm ndaj përfaqësisë diplomatike të Izraelit në Beograd ndodhi edhe në qershor të vitit 2024, kur Millosh Zhujoviq (1999), i njohur edhe me emrin Salahudin, sulmoi me hark dhe shigjeta dhe plagosi një pjesëtar të Xhandarmërisë që ruante Ambasadën.
Xhandari i plagosur iu kundërpërgjigj me armën zyrtare dhe e vrau sulmuesin.
Sulmi u cilësua si terrorizëm, ndërsa pas incidentit u ndërmor një aksion i gjerë policor, gjatë të cilit u arrestuan disa persona për të cilët autoritetet në Serbi pretendonin se kishin lidhje me qarqe radikale islamiste.
Në Serbi, edhe në vitin 2019 shtatë persona u dënuan me vendim të formës së prerë me gjithsej 69 vjet e gjashtë muaj burgim për bashkim me qëllim terrorizmi, pjesëmarrje në luftën në Siri dhe bashkëpunim me grupin ekstremist, Shteti Islamik./REL


