Vetëm 15 vjeç, ndërsa bashkëmoshatarët e tij vijojnë mësimet e zakonshme të shkollës, Loris Qose ka nisur të eksplorojë botën e matematikës universitare. Pasioni që zbuloi në klasën e gjashtë e ka çuar sot drejt medaljeve të arta dhe një rrugëtimi që premton shumë për të ardhmen.
Nxënësi shqiptar ka përfunduar tashmë studimin e librave të matematikës së gjimnazit dhe po thellohet në literaturën universitare, duke kërkuar sfida gjithnjë e më të vështira. Por pas këtij talenti të veçantë qëndrojnë jo vetëm aftësitë e tij, por edhe puna e palodhur, këmbëngulja dhe mbështetja e një mësueseje që besoi tek ai që në fillim.Gjithçka nisi në klasën e gjashtë, kur Flutura Hoxholli dalloi te Lorisi diçka që e veçonte nga bashkëmoshatarët.
Ai nuk mjaftohej me zgjidhjen mekanike të ushtrimeve, por kërkonte të kuptonte logjikën pas tyre, të arsyetonte dhe të gjente mënyra të reja për të mbërritur te përgjigjja. E bindur për potencialin e tij, mësuesja vendosi t’i jepte ushtrime shtesë dhe ta përgatiste për gara gjithnjë e më sfiduese.
Madje, me dashuri, ajo e quajti “Ajnshtajni im i vogël”. Për më shumë se dy vjet, Flutura u përkushtua në përgatitjen e tij pa shpërblim financiar, duke e parë këtë si një mision të rëndësishëm të profesionit të saj. As një aksident që e la për 21 ditë në shtrat nuk e ndali të vazhdonte ta mbështeste nxënësin e saj.
Sot, edhe pse përballet me vështirësi të mëdha shëndetësore dhe është e paaftë për punë, ajo vazhdon të ëndërrojë që Lorisi të ketë mundësinë të zhvillojë talentin e tij dhe të shkojë sa më larg.
Ndërkohë, rezultatet e tij kanë kapërcyer kufijtë e Shqipërisë. Në janar të vitit 2026, në olimpiadën ndërkombëtare “NEO Science Olympiad”, në Orlando të Shteteve të Bashkuara, Lorisi fitoi medaljen e artë në matematikë dhe medaljen e bronztë në kimi.
Në korrik, ai shënoi një tjetër sukses, duke fituar medaljen e artë në finalen e madhe të “International STEM Olympiad” në Itali, ku morën pjesë përfaqësues nga 56 shtete.
Për të, momenti kur ngriti flamurin shqiptar në skenën ndërkombëtare mbetet një nga përjetimet më emocionuese. Megjithatë, Lorisi e sheh suksesin si rezultat të përgatitjes, sakrificës dhe dëshirës për të mësuar, jo thjesht si çështje talenti apo notash të larta.
Ai beson se matematika është shumë më tepër se formula dhe numra: është një mënyrë për të kuptuar botën dhe universin që na rrethon. Tashmë, përtej medaljeve, sfida e radhës është të vazhdojë të zhvillohet dhe të gjejë mbështetjen e duhur për të çuar më tej aftësitë e tij.
Historia e Lorisit është edhe historia e një mësueseje që pa potencialin e një fëmije, besoi tek ai dhe zgjodhi të mos dorëzohej. Sepse ndonjëherë, pas një talenti që shkëlqen, qëndron dikush që ka besuar tek ai shumë përpara se bota ta njihte./abcnews.al


