A është vërtet një lugë vaj ulliri në mëngjes sekreti i shëndetit, apo thjesht një mit që kemi përqafuar? Trajneri personal i fitnesit, Erik Birko, shpjegon gabimet më të shpeshta që bëjmë me ushqimin dhe si ndikojnë ato në trupin tonë. Vaji i ullirit ekstra i virgjër është i pasur me yndyrna të shëndetshme, por konsumimi esëll nuk është i domosdoshëm për të përfituar nga vlerat e tij.
Një lugë gjelle përmban rreth 120 kalori, ndaj sasia dhe ekuilibri ushqimor kanë rëndësi. Po buka? A duhet ta përjashtojmë nga dieta kur duam të dobësohemi? Përgjigjja mund t’ju surprizojë: buka nuk është armiku i peshës, ndërsa rëndësi kanë lloji, sasia dhe kaloritë që marrim gjatë ditës. Buka integrale, falë përmbajtjes më të lartë të fibrave, mund të jetë pjesë e një regjimi të shëndetshëm. Një tjetër problem që shqetëson shumë njerëz është fryrja e barkut dhe gazrat pas ushqimit.
Fasulet, thjerrëzat, lakrat, brokoli, pijet e gazuara dhe ngrënia e shpejtë mund të ndikojnë te ky shqetësim. Por a duhet t’i heqim këto ushqime nga dieta? Jo domosdoshmërisht! Erik Birko këshillon të identifikojmë ushqimet që na shqetësojnë, të hamë më ngadalë dhe të rrisim gradualisht fibrat. Në fokus është edhe një tjetër sfidë: si të shtojmë kilogramë pa dëmtuar shëndetin? Përgjigjja nuk është të hamë pa kontroll, por të rrisim gradualisht kaloritë dhe të zgjedhim ushqime të pasura me lëndë ushqyese. Proteinat dhe stërvitja e forcës luajnë rol të rëndësishëm në ndërtimin e masës muskulare.
Pa dieta ekstreme dhe pa besuar te zgjidhjet magjike, çelësi është ekuilibri. Çfarë duhet të hamë, çfarë duhet të shmangim dhe cilat janë mitet që na pengojnë të arrijmë objektivat tona? Erik Birko sjell këshilla praktike për një marrëdhënie më të shëndetshme me ushqimin, trupin dhe aktivitetin fizik./abcnews.al


