Sondazh

Dhuna e opozitës përballë integrimit europian, si duhet të reagoje qeveria?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Trump urdhëron hetim, pas publikimit të ‘skemës së pagesave për ndikim te Presidenti’ në të cilën përmendet Grenell

schedule10:18 - 20 Tetor, 2026

schedule 10:18 - 20 Tetor, 2026

Një skemë e supozuar “pagesë për ndikim” ka shkaktuar trazira në Shtëpinë e Bardhë, duke çuar në hapjen e një hetimi presidencial, sipas një raporti të ri.

Trump urdhëroi hetimin për të përcaktuar nëse një nga aleatët e tij ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme një donacion të madh që synohej për “Kennedy Center”, raportoi të hënën portali Axios.

Bëhet fjalë për një udhëzim të supozuar nga Richard Grenell, ish-drejtuesi i “Kennedy Center”, drejtuar biznesmenit turk Turhan Mildon majin e kaluar.



Grenell dyshohet se i ka kërkuar Mildonit të transferonte rreth 17 milionë dollarë te kompania “Texas Armament & Technology” me seli në Hjuston – nga të cilat rreth 6 milionë dollarë do të shkonin për qendrën e arteve skenike.

“Pasi paratë të mbërrijnë në kompani këtu, unë do të organizoj donacionin për ‘Kennedy Center’, ndërsa ju do të merrni pjesë në evente VIP dhe do të krijoni lidhje të ngushta me administratën, madje edhe me vetë Presidentin”, thuhet në një mesazh me tekst nga Grenell, sipas portalit në fjalë.

Dhe bashkëshortja e Mildon, Alina Habba – e cila ka shërbyer si prokurore federale në Nju Xhersi – pretendon se “Kennedy Center” nuk e ka marrë kurrë donacionin.

Grenell, i cili shërben si i dërguar i posaçëm presidencial, e ka mohuar dërgimin e mesazhit dhe i ka quajtur të rreme akuzat ndaj tij.

Kur u kontaktua nga Axios, Grenell nuk pranoi të komentonte, ndonëse më herët i kishte thënë portalit se akuzat ndaj tij ishin “absurde”.

“Nuk kam kërkuar kurrë që asnjë qindarkë të dërgohet diku tjetër me pretendimin se ishte për ‘Kennedy Center’, dhe nuk kam marrë asnjë pagesë prej tij”, ka thënë ai. “Le të sjellë prova për atë që pretendon, në vend që të bëjë akuza të tilla absurde”.

Ndërkohë, gazeta “The Independent” shkruan se i ka dërguar email Shtëpisë së Bardhë dhe Mildonit, si dhe ka tentuar të kontaktojë Habbën dhe Grenellin për një koment.

E sipas Axios, kaloi më shumë se një vit pa e kuptuar Mildoni se “Kennedy Center” nuk e kishte marrë donacionin e tij.

Një pjesë tjetër e parave ishte destinuar për një marrëveshje në Republikën Demokratike të Kongos, detajet e saktë të së cilës mbeten të paqarta.

Më pas, më 9 tetor, Habba iu drejtua Trumpit në Zyrën Ovale dhe akuzoi Grenellin se e kishte mashtruar bashkëshortin e saj, duke e shtyrë të paguante miliona për një donacion që nuk u realizua kurrë.

Por shuma që përmendi Habba, sipas raportimeve, ka ndryshuar.

Fillimisht ajo pretendoi se donacioni i destinuar për qendrën e arteve skenike arrinte në 17 milionë dollarë; ndërsa duket se ka qenë 5,6 milionë dollarë.

“Ajo nuk i kishte gjërat e saj të qarta”, citohet të ketë thënë një zyrtar i administratës, i cili kërkoi të mbetej anonim.

“Ajo hyri aty e papërgatitur, pa i pasur të gjitha faktet, duke bërtitur se Grenell po vidhte. Dhe faktet vazhdojnë të ndryshojnë… Kjo nuk do të thotë se Ric është jashtë rrezikut. Kjo duket vërtet e dyshimtë”.

Pasi dëgjoi ankesën e Habbas, Trump thirri në zyrë këshilltarin ligjor të Shtëpisë së Bardhë, Will Scharf, dhe i kërkoi të hetonte çështjen.

Më pas, të dy telefonuan Grenellin, i cili i mohoi akuzat.

“Nuk ka asnjë mundësi që kjo të jetë e vërtetë. Është çmenduri”, u tha Grenell atyre, sipas Axios.

Dhe siç theksohet më tej, avokatët e Mildonit dorëzuan dokumente në Shtëpinë e Bardhë për shqyrtim javën e kaluar.

Burime nga brenda “Kennedy Center” kanë kontaktuar gjithashtu Shtëpinë e Bardhë, duke pretenduar se e kishin parë shpesh Mildonin në këtë institucion arti, madje edhe brenda lozhës së zëvendës-presidentit.

“Mildonit iu dha qasje”, tha një zyrtar i administratës. “Atëherë, pse iu dha qasja?”.

“Ka shumë pyetje. Dhe Presidenti kërkon përgjigje”, ka shtuar zyrtari i administratës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!