Dibër/Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Taksia”
Transportonte me taksi 2 armë zjarri (kallashnikov dhe pistoletë), me municion luftarak, arrestohet në flagrancë 30-vjeçari.
Sekuestrohen 2 armët e zjarrit dhe municioni luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Seksionin Operacional të DVP Dibër, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Taksia”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. T., 30 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin taksi që drejtohej nga 30-vjeçari, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Bllatës”, shërbimet e Policisë gjetën, në sediljen e pasme, një armë zjarri kallashnikov me 13 fishekë, si dhe një armë zjarri pistoletë, me një fishek në fole dhe një fishek në krehër.
Armët dhe municioni luftarak u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 30-vjeçari i kishte marrë armët në zonën e Tufinës, në Tiranë, me qëllim transportimin e tyre drejt Maqedonisë së Veriut, nëpërmjet kufirit të gjelbër.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.


