Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar se Perëndimi nuk duhet t’i nënshtrohet kërcënimit rus, duke theksuar se Moska vijon sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës në Ukrainë.
Deklarata e Macron vjen në një kohë tensionesh lidhur me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj luftës në Ukrainë dhe një sërë vendimesh e deklaratash të presidentit amerikan, Donald Trump, të cilat janë interpretuar si favorizuese ndaj Rusisë.
Duke folur për gazetarët në kuadër të një vizite në Panairin Ndërkombëtar të Automobilave në Paris, Macron bëri thirrje për një qëndrim të koordinuar dhe të kujdesshëm nga aleatët perëndimorë. Ai njoftoi gjithashtu se do të zhvillonte një bisedë me homologun amerikan më vonë gjatë ditës.
“Unë besoj se duhet të jemi seriozë kolektivisht”, u shpreh presidenti francez.
Macron theksoi se, sipas tij, nuk ka arsye për të ndryshuar qëndrimin ndaj Rusisë, për sa kohë që sulmet ndaj Ukrainës vazhdojnë.
“Nuk kemi asnjë arsye të vërtetë sot, besoj, për të ndryshuar qëndrimin tonë. Rusia vazhdon të bombardojë si civilët, ashtu edhe infrastrukturën në Ukrainë”, deklaroi ai.
Kreu i shtetit francez nënvizoi rëndësinë e përpjekjeve për arritjen e një armëpushimi që përfshin infrastrukturën energjetike dhe Detin e Zi, si dhe rifillimin e bisedimeve për paqe.
“Jo për t’u dorëzuar ndaj kërcënimit rus”, përfundoi Macron, duke riafirmuar qëndrimin e tij për vazhdimin e presionit diplomatik dhe përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.


