Një tjetër person i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Itali, në kuadër të operacionit “The Wanted”, të zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet italiane.
Policia e Shtetit bën me dije se në Asti, Itali, është kapur një 37 vjeçar, lindur në Elbasan, i cili kërkohej ndërkombëtarisht nga autoritetet shqiptare. Arrestimi u bë si rezultat i bashkëpunimit mes specialistëve të Sektorit për Hetimin e Grupeve Kriminale, në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, dhe shërbimeve të Gardës së Financës (GdF) në Pisa.
Sipas hetimeve, 37-vjeçari dyshohet se në vitin 2022, në kuadër të grupit kriminal ku bënte pjesë, ka ndërmjetësuar për vrasjen e shtetasit L. M., ngjarje që mbeti në tentativë.
Më 29 shtator 2026, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) i ka caktuar atij masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai dyshohet për veprat penale “Vrasja”, e mbetur në tentativë, e kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.
Ndërkohë, vijon bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës për përfundimin e procedurave të ekstradimit të 37-vjeçarit drejt Shqipërisë.


