Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka deklaruar se përfundimi i bllokadës institucionale i ka hapur Kosovës mundësinë për të ndjekur me energji të re axhendën evropiane.
Rudolph i bëri komentet gjatë një pritjeje të organizuar në Prishtinë me rastin e Ditës së Unitetit Gjerman, ku theksoi mbështetjen e Berlinit për perspektivën evropiane të Kosovës.
“Gjermania dëshiron ta shohë Kosovën si partnere në Evropë, në Bashkimin Evropian dhe në institucionet e tij”, deklaroi ambasadori.
Ai theksoi se ky qëndrim nuk ka ndryshuar që prej mbërritjes së tij në Kosovë, rreth një vit më parë.
Rudolph tha gjithashtu se pret të bashkëpunojë me presidentin e sapozgjedhur, Qeverinë dhe institucionet e tjera të Kosovës.
Sipas ambasadorit gjerman, rruga drejt integrimit evropian nuk do të jetë gjithmonë e lehtë dhe do të kërkojë debate dhe vendime të vështira, si brenda Kosovës ashtu edhe në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.


