Tre aksidente të rënda, me tre viktima dhe disa të plagosur, janë shënuar brenda pak orësh mbrëmjen e së mërkurës në disa qytete të vendit. Bilanci më i rëndë u shënua në Dibër, ku një 74-vjeçare humbi jetën dhe gjashtë persona të tjerë mbetën të plagosur pas përplasjes së dy automjeteve.
Aksidenti ndodhi në vendin e quajtur “Shkolla e Dovolanit”, në aksin Peshkopi–Maqellarë. Një “Mercedes” dhe një “Golf 5” u përplasën kokë më kokë, duke shkaktuar vdekjen e 74-vjeçares Xhilape Osmani. Mes gjashtë të plagosurve janë Sildi Osmani, 36 vjeç, Dael Manjani, 18 vjeç dhe Leila Osmani, 30 vjeç, si dhe tre të mitur.
Të plagosurit morën ndihmën e parë në Spitalin Rajonal të Peshkopisë dhe më pas u transportuan drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Gjendja e tyre shëndetësore raportohet e stabilizuar. Vetëm pak orë më pas një tjetër aksident fatal u shënua në Korçë. Një 18-vjeçar humbi jetën pasi u përplas nga një automjet teksa po kalonte rrugën.
I riu nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra, ndërsa drejtuesi i mjetit u shoqërua në komisariat për t’u marrë në pyetje lidhur me rrethanat e aksidentit. Një tjetër viktimë, këtë herë një fëmijë vetëm 3 vjeç, u shënua në Kurbin.
Vajza humbi jetën tragjikisht në oborrin e banesës, në një incident të ndodhur teksa babai i saj po manovronte me një mjet bujqësor. Tre ngjarjet e rënda u regjistruan brenda pak orësh, duke sjellë një bilanc tragjik në rrugë ndërsa policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të secilit rast.


