Obeziteti te fëmijët dhe adoleshentët e moshës 5 deri në 19 vjeç është katërfishuar në mbarë botën që nga viti 1990, sipas të dhënave të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Në vitin 2024, rreth 170 milionë fëmijë dhe adoleshentë të kësaj grupmoshe jetonin me obezitet. Prevalenca është rritur nga rreth 2 për qind në vitin 1990 në 8 për qind në vitin 2024.
Nga numri total, rreth 70 milionë janë fëmijë të moshës 5-9 vjeç, ndërsa rreth 100 milionë janë adoleshentë 10-19 vjeç.
Të dhënat u publikuan në kuadër të udhëzimeve të reja të OBSH-së për trajtimin e obezitetit te fëmijët dhe adoleshentët.
Organizata rekomandon që trajtimi të nisë me një qasje të plotë, ku përfshihen ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik dhe ndryshimet afatgjata të sjelljes.
OBSH thekson se ilaçet për humbje peshe, kirurgjia bariatrike dhe pajisjet për dobësim nuk rekomandohen për fëmijët 0-9 vjeç.
Për adoleshentët 10-19 vjeç, medikamentet mund të shqyrtohen vetëm në raste të caktuara dhe kur ndërhyrjet e mbikëqyrura për ndryshimin e stilit të jetesës nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme.
Kirurgjia mund të merret në konsideratë vetëm në raste të rënda dhe nën kushte të rrepta.
Sipas OBSH-së, obeziteti në moshë të hershme mund të rrisë rrezikun për probleme serioze shëndetësore, përfshirë diabetin e tipit 2 dhe sëmundjet kardiovaskulare.
Pasojat nuk janë vetëm fizike.
Organizata paralajmëron edhe për ndikimin në shëndetin mendor, ku fëmijët mund të përballen me bullizëm, stigmatizim, ankth, depresion dhe vetëvlerësim të ulët.
OBSH nënvizon se trajtimi nuk duhet të fokusohet vetëm te rënia në peshë, por te shëndeti dhe mirëqenia e përgjithshme e fëmijës.
Në të njëjtën kohë, organizata kërkon masa më të gjera që ta bëjnë ushqimin e shëndetshëm dhe aktivitetin fizik më të aksesueshëm dhe më të përballueshëm për familjet.


