Autoritetet në Finlandë kanë urdhëruar pezullimin e punimeve në dy qendra të të dhënave të Google që janë në ndërtim, pas shqetësimeve për shpyllëzimin e qindra hektarëve pyje dhe ndikimin në mjedis.
Objektet janë pjesë e investimit prej 13 miliardë eurosh të Google në Finlandë, i shpallur së fundmi dhe i cilësuar nga kompania si investimi më i madh i saj në Evropë. Projekti parashikon ndërtimin e tre qendrave të reja të të dhënave dhe investime në një të katërt që tashmë është në funksion.
Autoriteti Finlandez për Mbrojtjen e Mjedisit (LVV) urdhëroi ndalimin e punimeve pasi konstatoi se në njërin prej vendeve kishte nisur puna pa u kryer vlerësimi i detyrueshëm i ndikimit në mjedis.
Sipas LVV-së, masat që mund të “ndryshojnë ndjeshëm mjedisin” duhet të pezullohen deri më 23 tetor. Punimet e kryera në këto zona përfshijnë prerjen e pemëve dhe heqjen e shtresës sipërfaqësore të tokës, ndërtimin e rrugëve hyrëse dhe hapësirave të magazinimit, si dhe ndryshime në kanale.
Google ka pranuar se në këtë rast nuk i ka përmbushur standardet e saj dhe ka deklaruar se do të ndjekë udhëzimet e autoriteteve finlandeze.
Kompania tha se kishte vepruar “me mirëbesim” brenda kuadrit të legjislacionit pyjor, ndërsa theksoi se planifikon të vijojë edhe me mbjelljen e pemëve në njërën prej zonave të përzgjedhura për ndërtim.
Investimi i Google parashikon gjithashtu një kontratë 22-vjeçare për blerjen e energjisë elektrike nga kompania finlandeze Fortum. Marrëveshja mbulon deri në gjysmën e kapacitetit të prodhimit të termocentralit bërthamor Loviisa.
Sipas kompanisë, ndërtimi i qendrave të të dhënave në vitet 2027 dhe 2028 pritet të mbështesë më shumë se 37 mijë vende pune dhe të kontribuojë me 3.6 miliardë euro në ekonominë finlandeze.
Finlanda është kthyer në një destinacion tërheqës për investimet në qendrat e të dhënave për shkak të klimës së saj të ftohtë dhe energjisë elektrike me karbon të ulët. Temperaturat më të ulëta ndihmojnë në reduktimin e energjisë së nevojshme për ftohjen e këtyre objekteve.


