Ish-oficeri i CIA-s, David Rush, është shpallur fajtor për përvetësimin e afro 200 milionë dollarëve nga fondet publike amerikane, para që ishin për operacione sekrete të agjencisë së inteligjencës.
Rush, 49 vjeç rrezikon deri në 20 vite burg, gjobë dhe detyrimin për të kthyer fondet e përvetësuara.
Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, nga tetori i vitit 2025 deri në maj të këtij viti, kur u arrestua, Rush dyshohet se ka përdorur për vete fondet e destinuara për operacione sekrete të CIA-s.
Në vend që paratë t’i përdorte për qëllimet për të cilat ishin akorduar, ai dyshohet se i shpenzoi për pasuri të paluajtshme luksoze, ora të shtrenjta, shufra ari dhe të paktën një makinë me vlerë të lartë.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij në maj, FBI sekuestroi rreth 300 shufra ari, rreth 2 milionë dollarë në para të gatshme dhe rreth 30 ora luksoze. Vlera e shufrave të arit të gjetura në banesën e tij ishte rreth 200 milionë dollarë.
Por çështja nuk kufizohet vetëm te përvetësimi i fondeve. Sipas aktakuzës, Rush dyshohet se në fund të vitit 2025 i ka dhënë informacion konfidencial për një burim njerëzor të Shteteve të Bashkuara, një burim sekret dhe një agjent të një qeverie të huaj, identiteti i së cilës nuk është bërë publik./abcnews.al


