Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Finlandë, pezullohen punimet në dy qendra të të dhënave të Google

schedule22:35 - 6 Tetor, 2026

schedule 22:35 - 6 Tetor, 2026

Autoritetet në Finlandë kanë urdhëruar pezullimin e punimeve ndërtimore në dy qendra të të dhënave të Google, mes shqetësimeve për ndikimin në mjedis dhe shpyllëzimin e qindra hektarëve pyje.

Projektet janë pjesë e investimit prej 13 miliardë eurosh që Google ka planifikuar në Finlandë, investim i përshkruar nga kompania si më i madhi i saj në Evropë. Projekti parashikon ndërtimin e tre qendrave të reja të të dhënave, si dhe investime në një qendër të katërt që është aktualisht në funksion.

Autoriteti Finlandez për Mbrojtjen e Mjedisit ka urdhëruar ndalimin e punimeve në një prej zonave, pasi ato ishin kryer pa vlerësimin e detyrueshëm të ndikimit në mjedis. Pezullimi prek ndërhyrjet që mund të “ndryshojnë ndjeshëm mjedisin” dhe është vendosur deri më 23 tetor.



Sipas autoriteteve, punimet përfshinin prerjen e pemëve, heqjen e shtresës sipërfaqësore të tokës, ndërtimin e rrugëve hyrëse dhe hapësirave të magazinimit, si dhe ndërhyrje në kanalet e ujit.

Google ka pranuar se në këtë rast nuk ka përmbushur standardet e saj të përcaktuara për mjedisin, duke deklaruar se do të respektojë udhëzimet e autoriteteve finlandeze. Kompania tha gjithashtu se kishte vepruar në mirëbesim dhe se do të vijojë me planet për mbjelljen e pemëve në njërën prej zonave të përzgjedhura për ndërtim.

Në kuadër të zgjerimit të saj në Finlandë, Google ka nënshkruar edhe një kontratë 22-vjeçare për blerjen e energjisë elektrike nga kompania finlandeze Fortum. Marrëveshja mbulon deri në gjysmën e kapacitetit të prodhimit të termocentralit bërthamor Loviisa.

Kompania amerikane parashikon që ndërtimi i qendrave të të dhënave të mbështesë më shumë se 37 mijë vende pune gjatë viteve 2027 dhe 2028 dhe të kontribuojë me rreth 3.6 miliardë euro në ekonominë finlandeze.

Finlanda është kthyer në një destinacion tërheqës për investimet në qendrat e të dhënave për shkak të klimës së ftohtë dhe furnizimit me energji elektrike me emetime të ulëta karboni. Temperaturat e ulëta mund të reduktojnë energjinë e nevojshme për ftohjen e serverëve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!