Pse disa njerëz hanë pak, por vazhdojnë të shtojnë peshë? A është gjithçka çështje kalorish, apo në lojë janë edhe gjumi, stresi, hormonet dhe mënyra si ushqehemi?
Dietologia klinike Anila Kalleshí shpjegon gabimet që bëjmë çdo ditë pa i kuptuar.
Një prej tyre është uria emocionale: hamë jo sepse kemi nevojë për ushqim, por sepse jemi të stresuar, të mërzitur apo të lodhur. Edhe etja mund të ngatërrohet me urinë, ndaj hidratimi është një pjesë e rëndësishme e rutinës së përditshme.
Por çfarë ndodh kur mendojmë se po hamë “shëndetshëm”, ndërkohë që produkti është plot me sheqerna dhe përbërës të tjerë? Kosi me fruta, baret proteinike dhe pijet “bio” nuk janë automatikisht zgjedhje të shëndetshme vetëm sepse e premton ambalazhi.
Leximi i etiketës mbetet një nga mënyrat më të mira për të kuptuar çfarë po fusim në trup. Në vend të produkteve shumë të përpunuara, ushqimet e thjeshta si perimet, frutat, kosi natyral, vezët, bishtajoret, arrat dhe farat mund të jenë zgjedhje më të mira. Po çfarë ndodh me urinë e natës?
Një ditë me vakte të çrregullta, pak proteina, stres dhe gjumë të pamjaftueshëm mund të ndikojë në oreksin dhe dëshirën për të ngrënë vonë. Ndërkohë, “detox”-et dhe çajrat magjikë nuk janë zgjidhja që shumë njerëz mendojnë. Trupi ka organet e veta për eliminimin e mbetjeve, veçanërisht mëlçinë dhe veshkat.
Uji, fibrat, ushqyerja e balancuar dhe gjumi janë shumë më të rëndësishëm sesa një pije “detox”. Edhe farat chia dhe të linit kanë hyrë në listën e superushqimeve, por edhe këtu masa është çelësi.
Ato mund të ofrojnë fibra dhe yndyra të dobishme, por nuk janë ushqime magjike për dobësim.
Në fund, pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është e thjeshtë: “Jam vërtet e uritur apo thjesht po kërkoj të qetësohem me ushqim?” Sepse ndonjëherë problemi nuk është sa hamë, por pse hamë, çfarë zgjedhim dhe si jetojmë gjatë gjithë ditës./abcnews.al


