Një baba shqiptar, një nënë ruse dhe një familje që u përndoq nga diktatura. Kjo është historia e Misha Pumos, i lindur në Tiranë nga një çift që ishte njohur në Moskë dhe ishte kthyer më pas në Shqipëri.
Në vitet ’70, familja e tij u vu nën survejim nga Sigurimi. Babai humbi vendin e punës, ndërsa nëna, pedagogia Nina Pumo, u arrestua në vitin 1975. Ajo kaloi 11 vite në burg, ndërsa fëmijët u dërguan në internim. Por trauma nuk përfundoi me rënien e regjimit.
Në moshën vetëm 21-vjeçare, Misha u ndalua në Tiranë nga persona që, sipas rrëfimit të tij, e rrahën barbarisht dhe e lanë natën në një zonë me shkurre. “Më shkulën flokët, më rrahën për vdekje”, rrëfen ai për një nga netët më të tmerrshme të jetës së tij.
I frikësuar për jetën dhe nën një presion të jashtëzakonshëm, Misha mori një vendim ekstrem: të largohej nga Shqipëria. Shiti gjithçka që kishte, bleu dy bileta dhe u nis drejt Moskës.
Por edhe në Rinas nuk e dinte nëse do të arrinte gjallë në destinacion.
“Mendoja: ose do na gjuanin në shpinë, ose do ta shembnin avionin”, kujton ai. Pas 36 vitesh në tokën ruse, historia e tij mbetet një udhëtim mes dhunës, frikës, internimit dhe kërkimit të vazhdueshëm për familjen.
Dhe në Moskë e priste një nga momentet më të forta të jetës së tij: takimi me nënën pas viteve të ndarjes. Një histori shqiptaro-ruse, ku diktatura ndau një familje, dhuna e detyroi të arratisej dhe një udhëtim drejt Moskës i dha mundësinë të ribashkohej me njerëzit e tij./abcnews.al


