Brukseli dhe Uashingtoni po monitorojnë nga afër zhvillimin e një shpërthimi të dyshuar të murtajës në Siberi, pas vdekjes së një punonjëseje laboratori.
Komisioni Evropian po monitoron shpërthimin e dyshuar të murtajës pneumonike në Siberi, Rusi, dhe është i gatshëm të koordinojë një përgjigje mes shteteve anëtare nëse do të jetë e nevojshme.
Situata u bë e ditur pas vdekjes, më 2 tetor, të një punonjëseje të Institutit Kërkimor Irkutsk kundër Murtajës, e cila, sipas raportimeve, kishte thyer një epruvetë që përmbante patogjenin e murtajës. Vdekja e saj iu atribuua një “pneumonie me etiologji të panjohur”.
Incidenti çoi në marrjen e masave parandaluese në rajon. Rreth 200 persona që kishin qenë në kontakt me punonjësen e laboratorit janë vendosur nën mbikëqyrje të rreptë mjekësore.
Autoritetet ruse deri tani kanë shmangur konfirmimin e ekzistencës së një shpërthimi të murtajës, por raportimet kanë rritur shqetësimin në mbarë botën.
“Jemi në dijeni të raportimeve lidhur me incidentin laboratorik në Rusi, i cili duket se përfshin një patogjen që shkakton murtajën”, tha të hënën një zëdhënës i Komisionit Evropian.
“Shëndeti publik është gjithmonë një përparësi për ne, ndaj jemi në kontakt me ekspertët tanë nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve”, shtoi zëdhënësi.
“Ne po monitorojmë shumë nga afër atë që po ndodh.”
Murtaja pneumonike është një infeksion i mushkërive që përparon me shpejtësi dhe shkaktohet nga bakteri Yersinia pestis. Ajo përhapet përmes pikave të infektuara të frymëmarrjes gjatë kontaktit të afërt. Ka një shkallë të lartë vdekshmërie, por mund të trajtohet në mënyrë efektive me antibiotikë modernë.
“Jemi shumë më të përgatitur për çdo pandemi”, pas COVID-19, tha zëdhënësi, duke theksuar se vendet kanë rezerva antibiotikësh në dispozicion. / abcnews.al /


