Organizata “Mjekët pa Kufij” (MSF) sot deklaroi se Izraeli po vazhdon gjenocidin në Rripin e Gazës dhe po e “mbyt gradualisht” rajonin, duke u bërë thirrje qeverive të ndërmarrin masa të menjëhershme.
Në një deklaratë, MSF tha se kushtet për mbijetesën e njerëzve po “shkatërrohen sistematikisht” përmes dhunës së vazhdueshme, bllokadës “së qëllimshme” së furnizimeve thelbësore dhe shkatërrimit të kujdesit shëndetësor dhe infrastrukturës.
“Gjatë vitit të fundit, izolimi fizik i njerëzve në Gaza është bërë gjithnjë e më i pakthyeshëm me vendosjen e të ashtuquajturës ‘Linja e Verdhë’ nga Izraeli”, tha organizata franceze e ndihmës mjekësore.
Duke rikujtuar se fillimisht ishte paraqitur si e përkohshme, MSF-ja vuri në dukje se linja tani është përforcuar me pozicione ushtarake, argjinatura dhe prishje të vazhdueshme, ndërsa ajo ka vazhduar të zhvendoset drejt perëndimit, duke “i ngjeshur njerëzit në një hapësirë gjithnjë e më të vogël”.
MSF-ja theksoi se njerëzit rrezikojnë të qëllohen nga forcat izraelite kur afrohen në këtë zonë ndërsa ekipet e saj vazhdojnë të trajtojnë të plagosurit nga të shtënat me armë zjarri në afërsi.
“Linja e Verdhë nuk mund të trajtohet thjesht si një vijë në hartë”, tha Amande Bazerolle, përgjegjëse e MSF-së për reagimin ndaj emergjencave në Gaza.
MSF-ja tha se dhuna nuk është e kufizuar vetëm në zonat përreth “Linjës së Verdhë”, duke raportuar se vetëm gjatë muajve qershor dhe korrik ka trajtuar mbi 1.200 raste të traumave të shkaktuara nga dhuna në të gjithë Gazën.
Organizata rikujtoi se ekipet e MSF-së kanë trajtuar më shumë se 200 mijë raste traumash gjatë tre viteve të fundit ndërsa ofensiva ushtarake e Izraelit ka vrarë mbi 74 mijë njerëz.
MSF-ja nënvizoi se mbipopullimi dhe qasja e kufizuar në ujë të pastër, kanalizime, strehim dhe kujdes shëndetësor po kontribuojnë në përhapjen e sëmundjeve.
Ekipet e saj trajtuan mbi 11 mijë raste të sëmundjeve të lëkurës dhe 1.500 raste të lisë së dhenve gjatë muajve qershor dhe korrik.
Ajo vuri në dukje përkeqësimin dramatik të qasjes në kujdesin shëndetësor gjatë tre viteve të fundit, pasi spitaleve po u mbarojnë furnizimet bazë ndërsa pacientët nuk janë në gjendje të kenë qasje në ilaçet dhe trajtimet thelbësore.
“Kufizimet ndaj furnizimeve thelbësore, si vaji i motorëve dhe pjesët e këmbimit, po paralizojnë infrastrukturën e nevojshme për të mbajtur në funksion spitale, ambulanca dhe sistemet e ujit ndërsa gjeneratorët tashmë po prishen dhe operacionet e transportit të ujit me cisterna janë reduktuar”, thuhet në deklaratë.
Ajo shtoi se kriza nuk është e kufizuar vetëm në Gaza, pasi sulmet e dhunshme të pushtuesve, operacionet ushtarake dhe bastisjet e shtëpive, zhvendosjet si dhe prishjet e banesave janë përshkallëzuar me shpejtësi në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor.
“Do të duhen breza të tërë për t’u rimëkëmbur nga dëmet që janë shkaktuar gjatë tre viteve të fundit dhe në dekadat paraprake ndërsa pasojat e dhimbshme të gjenocidit të vazhdueshëm të Izraelit vazhdojnë të ndihen çdo ditë”, tha Bazerolle.
Ajo paralajmëroi se Izraeli ka kryer shkatërrime, zhvendosje dhe privim “me pandëshkueshmëri”, ndërsa praktika të tilla janë bërë “të normalizuara”.
“Qeveritë duhet të veprojnë tani për të siguruar që Izraeli të ndalojë shkatërrimin dhe vrasjet, të parandalojë spastrimin etnik dhe të ndalojë privimin e palestinezëve nga mjetet e mbijetesës”, shtoi Bazerolle.


