Një prej formacioneve më ikonike natyrore të Hawaii-t nuk ekziston më. Harku i Detit Hōlei, një monument natyror i formuar nga shkëmbi vullkanik, është shembur në Oqeanin Paqësor, në Parkun Kombëtar të Vullkaneve të Hawaii-t. Formacioni, rreth 27 metra i lartë, qëndronte në këtë vijë bregdetare prej më shumë se pesë shekujsh dhe ishte kthyer në një prej pamjeve karakteristike të parkut.
Shembja erdhi si pasojë e një procesi të gjatë erozioni dhe dobësimi të shkëmbit. Dallgët e fuqishme të Oqeanit Paqësor kishin gërryer për vite me radhë bazën e harkut, ndërsa aktiviteti sizmik dhe dëmtimet e shkaktuara nga tërmetet kishin dobësuar më tej strukturën e tij.
Shenjat e paqëndrueshmërisë ishin shfaqur prej vitesh. Tërmetet e lidhura me shpërthimin e vullkanit Kīlauea në vitin 2018 dëmtuan shkëmbinjtë përreth, ndërsa në vitin 2020 u zbuluan çarje të reja dhe zona e parë e vrojtimit u mbyll për shkak të rrezikut të shembjes.
Në vitin 2022, dallgët e fuqishme të shkaktuara nga stuhia tropikale Darby shkëputën një pjesë të madhe të shkëmbit nga pjesa e poshtme e harkut. Që atëherë, autoritetet paralajmëronin se formacioni mund të shembej në çdo moment dhe pa paralajmërim.
Harku ishte një produkt i forcave natyrore dhe erozionit që kishte vepruar mbi shkëmbin vullkanik për qindra vite. Sipas Shërbimit Kombëtar të Parqeve, formacione të tilla bregdetare janë të përkohshme dhe vazhdojnë të ndryshojnë me kalimin e kohës nën ndikimin e dallgëve, erozionit dhe proceseve gjeologjike.
Pas shembjes, autoritetet u kanë bërë thirrje vizitorëve të qëndrojnë larg zonave të mbyllura dhe skajeve të shkëmbinjve. Terreni mbetet i paqëndrueshëm dhe pjesë të tjera të bregdetit mund të shemben papritur, duke paraqitur rrezik serioz për turistët.
Hōlei Sea Arch tashmë është pjesë e historisë së peizazhit vullkanik të Hawaii-t, ndërsa shembja e tij tregon edhe një herë se kjo vijë bregdetare vazhdon të transformohet nga forcat e fuqishme të natyrës./abcnews.al


