Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Kalifornia ndalon zyrtarisht martesat e fëmijëve

schedule16:10 - 1 Tetor, 2026

schedule 16:10 - 1 Tetor, 2026

Kalifornia ka ndaluar zyrtarisht martesat e fëmijëve, pasi guvernatori Gavin Newsom firmosi një ligj që i jep fund kësaj praktike, e cila ende lejohet në 32 shtete të SHBA-ve.

Ligji i ri, i cili do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, përcakton se personat duhet të jenë 18 vjeç për t’u martuar në shtetin e Kalifornisë.

Newsom e cilësoi ligjin si një “masë të vonuar prej kohësh për të mbrojtur të rinjtë dhe të miturit e Kalifornisë”. Ai e firmosi ligjin në prani të Courtney Stodden, prindërit e së cilës e lejuan të martohej me një aktor 50-vjeçar të Hollivudit kur ajo ishte vetëm 16 vjeçe.



Stodden, e cila prej vitesh ka bërë fushatë kundër martesave të fëmijëve, e cilësoi ndryshimin si një “fitore” dhe tha se të mbijetuarit e martesave në moshë të mitur “nuk duhej të ishin detyruar kurrë ta mbanin këtë barrë”.

Ajo tha se do të “vazhdojë të luftojë derisa fëmijët të mbrohen nga martesat në të 50 shtetet” e SHBA-ve.

Stodden u martua me aktorin Doug Hutchison, i njohur për rolet e tij në filmat “The Green Mile”, “A Time to Kill dhe I Am Sam”, në vitin 2011. Martesa shkaktoi polemika dhe vëmendje ndërkombëtare, ndërsa Stodden u shfaq më pas edhe në disa programe televizive reality në SHBA, përfshirë serialin “Couples Therapy” të “VH1”.

Edhe të mbijetuar të tjerë të martesave në moshë të mitur e përshëndetën ligjin e ri.

“Kalifornia i ka dërguar sot një mesazh të qartë botës”, tha për BBC Brittany Bee, një ish-nuse fëmijë. “Një mesazh shprese për të gjithë fëmijët, që ata të mund të jenë të lirë nga dhuna sistematike. Që ata të mund të zgjedhin vetë rrugën e tyre.”

Bee i tha BBC-së se ishte martuar në moshën 17-vjeçare për t’i shpëtuar një shtëpie abuzive, por më pas, sipas saj, u përball me abuzim nga bashkëshorti i saj i rritur.

“Thjesht po shkoja nga një burg në tjetrin”, shpjegoi ajo. “Njerëzit kanë guximin të më thonë se unë bëra një zgjedhje fëmijët nuk mund të japin pëlqimin e tyre.”

Bee dhe të mbijetuar të tjerë të martesave të fëmijëve kanë punuar prej vitesh për ndalimin e kësaj praktike në Kaliforni dhe në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Rreth një dekadë më parë, martesat e fëmijëve lejoheshin në të gjitha shtetet amerikane, por gjithnjë e më shumë shtete kanë ndryshuar ligjet e tyre. Kalifornia është shteti i 18-të që e ndalon këtë praktikë që nga viti 2018.

Në Kaliforni nuk kishte një moshë minimale ligjore për martesë. Fëmijët mund të martoheshin nëse kishin pëlqimin e prindërve dhe një gjykatës jepte miratimin për martesën.

Gjithashtu, nuk ekzistonte një mekanizëm i posaçëm që u mundësonte personave nën 18 vjeç të divorcoheshin. Shumë vajza kanë thënë se për këtë arsye mbeteshin të bllokuara në marrëdhënie abuzive dhe shfrytëzuese.

“Unchained At Last”, një organizatë që lufton për t’i dhënë fund martesave të fëmijëve në SHBA, tha se rreth 9 mijë vajza martoheshin çdo vit në Kaliforni dhe se pothuajse të gjitha martesat e të miturve përfshinin vajza që martoheshin me burra të rritur.

Aktivistët thonë se shumë amerikanë nuk e dinë se martesat e fëmijëve janë ende të ligjshme në kaq shumë shtete të SHBA-ve, apo se kjo praktikë ka qenë e lidhur me raste dhe akuza për abuzim.

Sara Tasneem, e cila thotë se u detyrua të martohej me një burrë pothuajse dy herë më të madh në moshë se ajo kur ishte 15 vjeçe, i tha BBC-së se ndihej “surreale” që më në fund shteti po e njihte nevojën për ndalimin e martesave të fëmijëve. Ajo tha se kishte nisur vetë të lobonte për ndryshimin e ligjit në vitin 2017.

Ajo u prezantua me bashkëshortin e saj mëngjesin e martesës së tyre të arrangjuar.

“U detyrova të bëhesha gruaja e tij dhe atë ditë, e gjithë jeta ime ndryshoi”, tha ajo për BBC-në.

Një vit më vonë, në moshën 16-vjeçare, ajo u bë nënë dhe la shkollën.

“Të shihje të gjithë rrugëtimin e këtij projektligji deri në miratimin përfundimtar ka qenë një maratonë”, tha Tasneem. “Jam thjesht mirënjohëse që pas 1 janarit 2027, fëmijët nuk do të mund të martohen më në Kaliforni.”

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!