Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“MAMI IM, ËSHTË MAMI YT!”/ Ju fal tezës e xhaxhait nga prindërit biologjikë kur ishte 40 ditëshe, rrëfimi i fortë i Asije Ukajt

schedule12:45 - 1 Tetor, 2026

schedule 12:45 - 1 Tetor, 2026

Një sekret i ruajtur nga një qytet i tërë, një e vërtetë e fshehur për 11 vite dhe një vajzë që u rrit duke besuar se tezja ishte nëna e saj. Kjo është historia e pazakontë dhe prekëse e Asije Ukajt, e cila sot jeton në Holandë dhe punon si estetiste.

Kur ishte vetëm 40 ditëshe, Asija u mor nga tezja dhe xhaxhai, të cilët e rritën si vajzën e tyre. Dy motrat ishin martuar me dy vëllezër, por vetëm njëra prej çifteve kishte fëmijë. Kur nëna biologjike e Asijes mbeti shtatzënë, familja vendosi që foshnja t’i jepej motrës. Kështu, që në lindje, fati i saj u lidh me një sekret që do të ndryshonte jetën e saj.

Asija u rrit në Mamurras, mes dy familjeve që e donin, por që nuk guxonin t’i tregonin të vërtetën. E gjithë historia njihej nga qyteti, por askush nuk fliste. As shoqet, as njerëzit përreth nuk ia zbuluan sekretin.



E vërteta doli në dritë kur Asija ishte 11 vjeçe. Ishte motra e saj më e vogël ajo që, pas shumë këmbënguljesh, i tha fjalinë që do t’i mbetej përgjithmonë në mendje: “Mami im, është mami yt!”
Në fillim nuk e besoi. Më pas nisi përballja me prindërit dhe një periudhë e vështirë për të gjithë. Asija nuk donte të humbiste njerëzit që e kishin rritur, por as të shkëputej nga familja e saj biologjike.

Sot ajo mban lidhje me të dyja familjet, edhe pse pranon se për vite me radhë është ndier mes dy zjarreve. Sa herë kthehej në Shqipëri, përballej me dilemën se në cilën shtëpi duhej të shkonte më parë.

Pikërisht kjo përvojë e ka bërë të ngrejë një apel të fortë për familjet shqiptare: të mos ua dhurojnë më fëmijët të afërmve, duke i lënë të rriten mes sekretesh dhe të vërtetash të mohuara. Asija është pro birësimit, por beson se ai duhet të ndihmojë fëmijët që kanë nevojë për një familje, jo të krijojë plagë të heshtura brenda familjeve.

Në moshën 21-vjeçare, ajo la Shqipërinë për të nisur një jetë të re në Holandë. Mësoi vetë gjuhën holandeze, ndoqi studimet për estetikë dhe ndërtoi gradualisht rrugën e saj profesionale.

Sot punon në një qendër ëellness dhe ka biznesin e saj në fushën e estetikës. Madje, së shpejti synon të sjellë edhe linjën e saj të produkteve kozmetike, me formulat që ka studiuar dhe krijuar vetë.
Por përtej sipërmarrjes dhe suksesit profesional, Asija mbart një histori që nuk dëshiron ta shohë të përsëritet te fëmijë të tjerë. Sepse disa sekrete mund të ruhen për vite, por e vërteta, kur zbulohet, ndryshon përgjithmonë mënyrën se si e njeh veten dhe njerëzit që të rrethojnë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!