Taksat e qytetarëve shqiptarë po përdoren dhe menaxhohen në mënyrë më transparente për investimet publike. Ky është një nga përfundimet e vlerësimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë.
Gjatë një takimi me misionin e FMN-së ministri i Financave Petrit Malaj theksoi se Shqipëria ka bërë përparime në mënyrën se si planifikon dhe menaxhon paratë publike ndërsa theksoi se rezultatet e vlerësimit të FMN-së tregojnë se Shqipëria po performon në linjë me vendet e Bashkimit Evropian.
Ministri Malaj theksoi se nuk mjafton që paratë të parashikohen në buxhet por rëndësi ka që çdo lek i paguar nga qytetarët në taksa dhe të sjellë më shumë shërbime për qytetarët veçanërisht për investimet në rrugë, spitale apo shkolla.
Investimet publike në vendin tonë kanë qenë në rreth 6.5% të PBB-së gjatë viteve të fundit dhe pritet të mbeten në nivele të larta, ndërsa Shqipëria vijon procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian./abcnews.al


