Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas ka paralajmëruar për rritjen e rrezikut të akteve të sabotimit dhe sulmeve ndaj demokracive evropiane, duke iu referuar raporteve të inteligjencës.
Duke folur para takimit të ministrave të Mbrojtjes të BE-së në Bruksel, Kallas tha se vendet evropiane duhet të jenë vigjilente përballë kërcënimeve të mundshme.
“Ne duhet të jemi vigjilentë, sepse shohim në raportet e inteligjencës se Rusia po planifikon më shumë akte sabotimi dhe sulmesh kundër demokracisë sonë”, tha Kallas.
Sipas saj, synimi i këtyre veprimeve është të krijojnë përçarje në shoqëritë evropiane dhe të frikësojnë qytetarët që të mos mbështesin Ukrainën.
Kallas foli gjithashtu për misionin e BE-së në Detin e Kuq, duke theksuar nevojën për më shumë anije në mënyrë që operacioni “Aspides” të ketë kapacitetet e nevojshme për mbrojtjen e anijeve tregtare.
Pas mbërritjes në takimin e ministrave evropianë të Mbrojtjes, Kallas tha se u ka bërë thirrje shteteve anëtare të rrisin kontributin e tyre në mision. Megjithatë, sipas saj, deri tani nuk janë marrë angazhime të reja.


