Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 25 shtator në rrugën “Hysni Gërbolli” ku u plagos një 33-vjeçar nga Kosova/
Autori i dyshuar është identifikuar dhe shpallur në kërkim, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Sipas Policisë, gjatë një konflikti në një lokal, 54-vjeçari dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri dhe ka plagosur në këmbë 33-vjeçarin më pas duke u larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas hetimeve, 54-vjeçari është shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prishja e qetësisë dhe rendit publik”.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia sekuestroi një armë gjahu, një thikë dhe municion luftarak.
Në vijim të hetimeve, policia arrestoi në flagrancë edhe 20-vjeçarin Samuel Tahiraj, i cili dyshohet se ishte përfshirë në konfliktin me disa persona me sende të forta.
Si pasojë e përplasjes, ka mbetur i dëmtuar një 18-vjeçar, i cili akuzohet për “Plagosja e lehtë me dashje”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Prishja e qetësisë dhe rendit publik”.
Ndërkohë, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për një 49-vjeçar dhe 18-vjeçarin Sajmir Pasmaciu, të dyshuar se gjatë konfliktit kanë goditur me sende të forta Tahirajn. Gjatë kontrollit në banesën e 49-vjeçarit u gjetën dhe u sekuestruan gjithashtu disa fishekë.
Ndërkaq, verifikimet zbuluan se 33-vjeçari, i cili mbeti i plagosur me armë zjarri, ishte person në kërkim nga autoritetet e Kosovës. Ai u arrestua me qëllim ekstradimi, pasi rezulton i dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë me 50 ditë burgim për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

