Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të Kartës së Adriatikut, të organizuar nën kryesimin e Kroacisë.
Në ndërhyrjen e tij, ministri theksoi nevojën për forcimin e këtij mekanizmi përballë sfidave të reja të sigurisë dhe për një bashkëpunim rajonal më gjithëpërfshirës, duke kërkuar përparim në procesin e anëtarësimit të Kosovës.
“Kërkesa e Kosovës për anëtarësim ka mbetur në pritje për një kohë tepër të gjatë. Përparimi në këtë çështje do të forconte kohezionin rajonal dhe aftësinë tonë kolektive për të përballuar sfidat e përbashkëta të sigurisë”, u shpreh ministri Hoxha.
Më shumë se dy dekada pas krijimit të saj, Karta e Adriatikut mbetet një shtyllë e rëndësishme e sigurisë rajonale dhe e bashkëpunimit euroatlantik.
Ministri vuri në dukje se kërcënimet kibernetike, siguria energjetike dhe manipulimi dhe ndërhyrja e huaj në informacion (FIMI) kërkojnë rritjen e efektshmërisë së Kartës, krahas thellimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit rajonal në tërësi.
Duke u ndalur te rëndësia e gjithëpërfshirjes, ministri theksoi se siguria në Ballkanin Perëndimor kërkon edhe integrimin e plotë të të gjitha vendeve dhe shoqërive të rajonit në mekanizmat e bashkëpunimit dhe të përgjegjësisë së përbashkët.
“Stabiliteti afatgjatë mund të arrihet vetëm kur të gjitha vendet dhe shoqëritë e rajonit të jenë plotësisht të integruara në kuadrin e bashkëpunimit, sigurisë dhe përgjegjësisë së përbashkët, mbi të cilin mbështetet e ardhmja jonë”, theksoi ai.
Ministri Hoxha nënvizoi se një Kartë e Adriatikut më e hapur, më e fortë dhe më gjithëpërfshirëse, e aftë t’u përshtatet sfidave të reja, i shërben një Ballkani Perëndimor më të sigurt dhe të ardhmes së përbashkët euroatlantike.

