Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Inteligjenca Artificiale trondit tregun e medias në Britani të Madhe, shkurtohen mbi 220 vende pune

schedule19:12 - 16 Shtator, 2026

schedule 19:12 - 16 Shtator, 2026

Botuesi britanik Reach, që ka në pronësi gazetat “Daily Mirror” dhe “Daily Express”, ka njoftuar një ristrukturim të operacioneve të tij mediatike, i cili do të sjellë shkurtimin e rreth 220 vendeve të punës në redaksi.

Sipas “The Independent”, kompania planifikon të hapë njëkohësisht rreth 60 pozita të reja, kryesisht në fusha si abonimet dhe prodhimi i videove me format të gjatë. Ndërkohë, pritet të reduktohen edhe rreth 65 vende pune në sektorin komercial.

Drejtori i përmbajtjes në Reach, David Higgerson, u ka komunikuar punonjësve përmes një emaili të brendshëm se kompania po përballet me vështirësi të lidhura me uljen e trafikut që vjen nga kërkimet në Google, si dhe me konkurrencën në rritje nga BBC.

Në kuadër të ristrukturimit, Reach ka vendosur gjithashtu të mbyllë tre platforma rajonale lajmesh: KentLive, AberdeenLive dhe GalwayBeo.

Masat e reja do të prekin punonjës të angazhuar në gazetat e shtypura, platformat digjitale dhe sektorin e videove. Kompania pritet të nisë një proces konsultimi me stafin, i cili do të zgjasë të paktën 45 ditë.

Reach është ndër grupet më të mëdha komerciale të medias në Britani dhe, përveç “Daily Mirror” dhe “Daily Express”, ka në pronësi edhe tituj si “Daily Star”, “Manchester Evening News” dhe “Liverpool Echo”.

Kjo nuk është hera e parë që kompania njofton shkurtime të vendeve të punës. Industria tradicionale e gazetarisë britanike po përballet prej vitesh me ndryshime të mëdha, përfshirë rënien e lexueshmërisë së gazetave të printuara dhe ndryshimin e mënyrës se si audienca konsumon lajmet online.

Një tjetër faktor që po ndikon në modelin e biznesit të mediave është përdorimi gjithnjë e më i madh i përmbledhjeve të lajmeve të krijuara nga inteligjenca artificiale, të cilat mund të reduktojnë nevojën e përdoruesve për të vizituar drejtpërdrejt faqet e internetit të mediave.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!