Gjykata e Izmirit ka urdhëruar arrestimin e 16 personave të komunitetit LGBT+. Aksioni është kryer për “mbrojtjen e familjes tradicionale”.
Ministri i Drejtësisë turke, Akin Gurlek, hetimet janë kryer nga prokuroritë e Stambollit, Ankarasë, Izmirit, Aydinit dhe Mersinit, ndaj 162 persona të dyshuar, nëntë shoqata dhe 13 sipërmarrje.
Qeveria turke pretendon se operacioni ka për qëllim mbrojtjen e fëmijëve dhe vlerave familjare. Gjatë fundjavës, autoritetet arrestuan gjithashtu 26 persona në Stamboll dhe 21 në Ankara, ndërsa ushtruan kontroll në zyrat e disa shoqatave për të drejtat e komunitetit LGBT+.
Prokurorët deklaruan se hetimet lidhen me akuza që përfshijnë prostitucionin dhe fyerjen e moralit publik, me pretendimin se të miturit po ndikohen në mënyrë të papërshtatshme mbi çështjet e orientimit seksual dhe identitetit gjinor.
Aksioni ka nxitur reagime të ashpra nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut, të cilët akuzojnë pushtetin për shënjestrim të vazhdueshëm të komunitetit përmes gjuhës së urrejtjes dhe kufizimeve ligjore.
“Shoqata Turke për të Drejtat e Njeriut”, e cilësoi operacionin si “diskriminim të udhëhequr nga shteti, politikë frike dhe shkatërrim të shoqërisë civile”.
Operacioni përkon me fushatën e Presidentit Recep Tayyip Erdogan “Dekada e Familjes dhe Popullsisë”, e cila synon rritjen e lindjeve dhe përballimin e plakjes së popullsisë. Ndonëse homoseksualiteti nuk përbën vepër penale në Turqi, diskriminimi mbetet i lartë, ndërsa Presidenti Erdogan shpesh akuzon komunitetin LGBTI+ si kërcënim për strukturën familjare.

