Botërori i minifutbollit në Essen u mbyll për Shqipërinë mes emocioneve, por edhe një incidenti që tërhoqi vëmendjen pas ndeshjes me Brazilin. Kombëtarja e Soça Albania u mund 7-1 nga Brazili, duke u eliminuar në fazën e 1/16-ave, ndërsa në fund të takimit situata u tensionua dhe pati përplasje mes palëve. Sipas presidentit të klubit “Çamëria” dhe trajnerit të ekipit, Irtan Sejko, gjithçka nisi pas një serie provokimesh gjatë ndeshjes.
Lojtarët brazilianë, sipas tij, kanë bërë edhe shenja provokuese pas golave, duke tensionuar gradualisht atmosferën në fushë. Por Sejko pranon se edhe reagimi i lojtarëve shqiptarë nuk ishte mënyra e duhur për t’iu përgjigjur situatës. Incidenti bëri xhiron e rrjeteve sociale, ndërsa komentet ndaj Shqipërisë nuk kanë munguar.
Por për trajnerin, një ndeshje e vetme dhe një incident nuk mund të fshijnë atë që kjo skuadër ka bërë në vitet e fundit. Soça Albania kishte siguruar 7 pikë në grup, me paraqitje të mira ndaj Uruguait, Nigerisë, Hungarisë dhe Bullgarisë. Pas këtij rrugëtimi qëndron një skuadër që prej vitit 2022 po përpiqet të ngjitet mes më të mirëve të Europës dhe botës. Shqipëria ka marrë pjesë në disa turne ndërkombëtarë dhe ka përballuar kombëtare të nivelit të lartë. Në Botërorin e vitit 2023 në Gjermani, kuqezinjtë u eliminuan nga Ukraina, e cila më pas shkoi deri në finale.
Një vit më vonë, në Oman, Shqipëria u rendit mes 8 ekipeve më të mira të botës. Edhe atëherë rrugëtimi u ndërpre nga vendi organizator, që më pas u shpall kampion bote. Në Europianin e Moldavisë në vitin 2025, Shqipëria u eliminua nga Franca, e cila sërish arriti në finale. Por sfida më e madhe nuk ka qenë gjithmonë në fushë.
Për shkak të mungesës së mbështetjes financiare, Shqipëria nuk mundi të merrte pjesë në Botërorin e Meksikës, pavarësisht përpjekjeve për të mbuluar një pjesë të kostove përmes sponsorëve. Tashmë, në Europianin e vitit 2026 të zhvilluar në Tiranë, kuqezinjtë janë rikthyer sërish mes 8 më të mirëve. Dhe pas incidentit me Brazilin mbetet një pyetje: a do të mbahet mend kjo skuadër për një përplasje, apo për rrugëtimin e saj të jashtëzakonshëm në futbollin e vogël?/abcnews.al

