Një burrë 23-vjeçar nga Utah është deklaruar i pafajshëm për vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk – pasi një gjykatës vendosi që prokurorët mund të kërkojnë dënimin me vdekje në gjyq.
Tyler Robinson mohon vrasjen e rëndë, një vepër penale që dënohet me vdekje në Utah dhe gjashtë akuza të tjera në lidhje me të shtënat me armë zjarri ndaj Kirk në një aktivitet në kampus më 10 shtator 2025, shkruan BBC.
Avokatët mbrojtës ishin përpjekur të hiqnin dënimin me vdekje nga tavolina, por prokurorët argumentuan se faktorët rëndues, të tillë si të shtënat në një turmë në prani të fëmijëve, justifikonin një gjyq me dënim me vdekje.
Bashkëthemeluesi i Turning Point USA, Kirk, 31 vjeç, u qëllua në qafë ndërsa fliste në Universitetin Utah Valley në Orem.
I pandehuri, i veshur me një kostum gri dhe duke u konsultuar herë pas here me avokatët e tij, u paraqit në gjykatë në qytetin e Provos të martën.
E veja e Kirkut, Erika, nëna e dy fëmijëve të tyre, dhe prindërit e tij, Robert dhe Kathryn, ishin gjithashtu në seancën dëgjimore.
Në një deklaratë të ndarë më pas, familja Kirk tha se vendimi i gjyqtarit “shënon një hap të rëndësishëm” në “ndjekjen e drejtësisë” së tyre.
“Çdo hap në këtë proces mbart peshën e gjithçkaje që vrasja e Charlie-t i ka marrë familjes së tij, veçanërisht fëmijëve të tij që do të rriten pa babanë e tyre”, shtoi deklarata.
Argumentet përfundimtare pasuan një seancë paraprake pesë-ditore në korrik, gjatë së cilës prokurorët paraqitën provat e tyre për të treguar shkakun e mundshëm për gjykim.
Kjo përfshinte ADN-në që dyshohet se e lidhte Robinson-in me armën e vrasjes dhe sende të tjera të gjetura në vendngjarje; rrëfimet që dyshohet se u bëri të dashurve; dhe një deklaratë të regjistruar në video nga shoku i tij i dhomës dhe partneri romantik, Lance Twiggs.
“Ekziston një mal me prova që vërtetojnë se ai është autori i vrasjes”, i tha prokurori Ryan McBride gjykatës të martën, duke përshkruar videon që ai tha se tregonte Robinson-in “të veshur për të vrarë” në kampus ditën e të shtënave.
“Ne e dimë që i pandehuri është autori i vrasjes… së pari, për shkak të provave video; së dyti, për shkak të ADN-së; së treti, për shkak të rrëfimeve të tij; dhe së katërti, për shkak të provave rrethanore”, tha McBride.
Prokurorët thanë se i akuzuari, një ish-elektriçist praktikant, ishte në një lidhje me shokun e tij të dhomës dhe i konsideronte pikëpamjet konservatore të Kirkut, veçanërisht mbi çështjet transgjinore, si “të neveritshme” – gjë që ata argumentuan se ishte motivi.


