Bosi i Camorrës, Raffaele Afeltra, është vrarë në Napoli. Afeltra u gjet i pajetë brenda automjetit të tij, pranë një trualli në zonën e maleve Lattari. Trupi i tij u zbulua nga efektivët e kompanisë së karabinierëve të Castellammare dhe Njësisë Hetimore të Torre Annunziata.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, Afeltra dyshohet se është qëlluar nga disa persona të panjohur, të cilët kanë hapur zjarr me armë gjahu, duke e lënë të vdekur në vend.
Ngjarja ka ndodhur në një truall në pronësi të vetë Afeltras. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, ndërsa ekspertët kanë kryer këqyrjet përkatëse. Hetimet vijojnë për të zbardhur dinamikën dhe motivet e vrasjes, si dhe për të identifikuar autorët.
Raffaele Afeltra, i njohur me nofkën “O’ Burraccione”, ishte një emër i njohur për autoritetet italiane për lidhjet e tij me Camorrën.
Në vitin 2019, ai iu dorëzua autoriteteve pas një periudhe të shkurtër arratie. Më pas, Afeltra vuajti një dënim përfundimtar për zhvatje në kuadër të veprimtarisë së Camorrës.
Prej rreth tre vitesh ai ishte sërish në liri. Tashmë, hetuesit po analizojnë të kaluarën e tij dhe aktivitetet e fundit, në përpjekje për të zbardhur motivin e ekzekutimit dhe nëse vrasja lidhet me përplasjet mes grupeve kriminale./abcnews.al

