Udhëheqësi i opozitës në Zambi, Brian Mundubile, është akuzuar për tradhti, ndërsa vendi po përballet me tensione të shtuara politike pas zgjedhjeve presidenciale.
Lajmi është bërë i ditur nga avokati i tij, Milner Katolo, i cili tha se Mundubile do t’u përgjigjet akuzave në gjykatë.
Mundubile u arrestua të enjten, disa ditë pasi u detyrua të fshihej pas një operacioni të forcave të sigurisë, gjatë të cilit pati viktima. Ai kishte kundërshtuar rezultatet e zgjedhjeve të fundit presidenciale, ku presidenti aktual Hakainde Hichilema fitoi një mandat të dytë.
Autoritetet kanë akuzuar partinë e Mundubiles, NRPUP, se po planifikonte një kryengritje të armatosur. Partia e opozitës i ka mohuar këto pretendime.
Avokati Katolo bëri të ditur se përveç Mundubiles, edhe 17 persona të tjerë janë akuzuar për tradhti. Mes tyre është edhe Makebi Zulu, kandidati për nënpresident në zgjedhjet e fundit.
Sipas rezultateve zyrtare, Mundubile mori 38% të votave në zgjedhjet e 13 gushtit, ndërsa Hichilema fitoi me 60%.
Një ditë pas zgjedhjeve, forcat e sigurisë bastisën një pronë në kryeqytetin Lusaka, e cila lidhej me Mundubilen. Gjatë operacionit u vra një ish-ministër i kabinetit dhe u arrestuan disa politikanë të tjerë.
Pas bastisjes, Mundubile dhe Zulu u strehuan në një ndërtesë të Kombeve të Bashkuara në Lusaka. Ata u arrestuan më pas, pasi presidenti Hichilema i kërkoi OKB-së t’ua dorëzonte autoriteteve.
Opozita nuk arriti të paraqiste një ankesë ligjore ndaj rezultatit të zgjedhjeve, pasi gjykatat u mbyllën nga autoritetet të hënën, pikërisht në ditën e fundit kur mund të dorëzohej një kërkesë për shqyrtim të rezultatit.
Presidenti Hichilema pritet të bëjë betimin për mandatin e dytë më 1 shtator.
Zgjedhjet u përshkruan nga vëzhguesit rajonalë dhe ndërkombëtarë si përgjithësisht paqësore. Megjithatë, Komisioni i të Drejtave të Njeriut në Zambi ka kërkuar llogaridhënie për personat, vendndodhja e të cilëve mbetet e panjohur pas arrestimeve dhe operacioneve të forcave të sigurisë gjatë periudhës zgjedhore.

