Një takim i shkurtër u zhvillua ndërmjet presidentit të Kosovës Hashim Thaci dhe liderit të LVV-së Albin Kurti. Megjithatë ky i fundit nuk i dërgoi emrin e mandatarit për qeverinë. Thaci i dha ultimatum 48 orësh.
E refuzoi tre herë për tu takuar. Por as herën e katërt kur edhe pranoi të zhvilloj takim me presidentin Hashim Thaci, kreu I LVV-së Albin Kurti nuk ia dërgoi emrin e mandatarit për të udhëhequr qeverinë.
Ndonëse takim i ftohtë dhe i shkurtër, madje nuk pati as shtrëngim duarsh kur iu kërka nga mediat, Kurti i ka thënë Thacit se do ti dorëzojë emrin e mandatarit me shkresë zyrtare pas mbledhjes së kryesisë së partisë.
Por nuk vonoi shumë dhe nëpërmjet një statusi në Facebook presidenti njoftoi se i ka dhënë 48 orë afat shtesë Kurtit, për t’ia dorëzuar emrin e mandatarit.
“Kurti sot nuk ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit nga Lëvizja Vetëvendosje. Si president i vendit do ta ushtroj autoritetin tim kushtetues dhe ligjor të ruajtjes dhe kultivimit të unitetit politik e qytetar dhe orientimit euroatlantik të shtetit të Kosovës. Prandaj, kam vendosur që t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore.” ka shkruar Thaçi.
Por sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Kreshnik Ahmeti, thotë se presidenti në takim, nuk e ka përmendur kufizimin kohor, e aq më pak afatin prej 48 orëve.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se ky kufizim kohor nuk ka bazë kushtetuese.
Negociatat LVV LDK janë ngrirë pas seancës së 26 dhjetorit, ku kryetar i Kuvendit u zgjodh Glauk Konjufca ndonëse me draftmarrëveshje LVV LDK ky post do ti takonte LDK-së. Ndonëse negociatat ndërmjet këtyre dy partive do të rifillojnë cdo marrëveshje e mëparshme ka rënë në ujë. Por kreu i LVV-së nuk tregoi se cfarë do ti ofrojë LDK-së në këmbim të postit të kryeparlamentarit.
Kurti para takimit me presidentin ka publikuar emrat e zëvendëskryeministrit të dytë nga partia e tij dhe 5 ministrave duke e sfiduar LDK-në të bëjnë të njëjtën gjë.
Gjatë ditës LDK-ja ka mbledhur fillimisht Grupin Parlamentar e më pas kryesinë e partisë ku kanë shprehur edhe njëherë gatishmërinë për vazhduar bisedimet me LVV-në mbi bazën e mirëbesimit dhe partneritetit.
Sipas LDK-së pushtetet e balancuara dhe përgjegjësitë e përbashkëta janë jetike për funksionimin e koalicionit të mundshëm.
Kjo parti fton LVV-në të reflektoj mbi bazën e këtij parimi./abcnews.al


