Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Inteligjenca artificiale ndihmon për herë të parë në një operacion në tru, hiqet me sukses tumori

schedule09:51 - 27 Gusht, 2026

schedule 09:51 - 27 Gusht, 2026

Një moment historik për mjekësinë! Një pacient në Britani është bërë personi i parë në botë që i është nënshtruar një operacioni në tru me asistencën e inteligjencës artificiale në kohë reale. Tumori u hoq me sukses, ndërsa teknologjia ndihmoi kirurgët të shmangnin enët e gjakut dhe nervat e rëndësishëm.

Rhys Hibbert, 48 vjeç, baba i dy fëmijëve nga Bedfordshire, iu nënshtrua ndërhyrjes në University College London Hospital. Sipas kirurgëve, pa operacionin ai rrezikonte të humbiste shikimin.

Hibbert kishte një tumor jo kanceroz, rreth 11 milimetra, në gjëndrën e hipofizës, një strukturë e vogël në bazën e kafkës që luan një rol të rëndësishëm në prodhimin e hormoneve.



Tumori kishte filluar të ushtronte presion mbi nervat optikë, duke i shkaktuar pacientit probleme me shikimin periferik, lodhje të madhe dhe marramendje. Gjatë operacionit, mjekët përdorën një sistem të posaçëm të inteligjencës artificiale që analizonte në kohë reale pamjet nga kamera e vendosur në endoskop.

Sistemi gjurmonte instrumentet kirurgjikale dhe identifikonte zonat ku mund të ndodheshin enë të rëndësishme gjaku dhe nerva, duke i sinjalizuar kirurgëve vendet ku ndërhyrja ishte më e sigurt.

Teknologjia është trajnuar me qindra video të operacioneve për heqjen e tumoreve të hipofizës, ku studiuesit kanë identifikuar me kujdes enët e gjakut dhe nervat për t’i mësuar sistemit të njohë strukturat anatomike.

Profesori Hani Marcus, pjesë e ekipit që kreu ndërhyrjen, e përshkroi sistemin si një “palë të dytë sysh ekspertësh” për kirurgun.

Ndryshe nga shumë mjete të tjera eksperimentale, kjo teknologji funksionon në kohë reale gjatë operacionit.

Ndërhyrja kryhet përmes hundës, duke përdorur një endoskop që kalon deri në bazën e kafkës. Tumori ndodhej pranë arterieve karotide dhe nervave optikë, çka e bënte procedurën veçanërisht delikate.

Sipas ekipit mjekësor, ekzistonte një mundësi prej 25–50% që tumori të mos hiqej plotësisht, ndërsa rreziku i dëmtimit të një ene të madhe gjaku vlerësohej në 0,5–2%.

Megjithatë, përdorimi i inteligjencës artificiale i ndihmoi kirurgët të përcaktonin më saktë zonat ku mund të ndërhynin.

Mjekët theksojnë se AI nuk merr vendime në vend të kirurgut. Kontrolli i plotë i operacionit mbetet në duart e ekipit mjekësor.

Për Hibbert, rezultatet kanë qenë të menjëhershme.

“Kur hapa sytë pas operacionit, m’u duk sikur kisha shikim 360 gradë. Nuk kisha parë kaq qartë për një vit”, tha ai.

Tetë javë pas ndërhyrjes, pacienti thotë se shikimi i tij vazhdon të përmirësohet dhe se ka rikthyer energjinë.

“Kam rikthyer energjinë dhe të gjitha efektet anësore nga të cilat vuaja para operacionit janë zhdukur. Ma ka kthyer jetën”, u shpreh ai.

Studiuesit synojnë që kjo teknologji të zhvillohet më tej dhe në të ardhmen të shërbejë si një lloj “ChatGPT-je për kirurgët”, një ekspert virtual që mund të ofrojë këshilla gjatë ndërhyrjeve, pa marrë kontrollin nga mjeku.

Pas suksesit të operacionit të parë në kushte reale, ekipi po përgatitet për një studim më të gjerë për të testuar më tej sigurinë dhe efektivitetin e teknologjisë.

Ministri britanik për inovacionin në shëndetësi, James Frith, e cilësoi ndërhyrjen si një operacion që “i ka ndryshuar jetën” pacientit dhe theksoi se inteligjenca artificiale duhet të shoqërohet gjithmonë me masa të forta sigurie.

Ky rast shënon një hap të rëndësishëm drejt përdorimit të inteligjencës artificiale si një mjet ndihmës në kirurgjinë komplekse, ku saktësia dhe shmangia e dëmtimeve të strukturave jetike janë vendimtare.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!