Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Tragjeditë detare në brigjet tuniziane shkaktojnë protesta të dhunshme në vend

schedule16:13 - 25 Gusht, 2026

schedule 16:13 - 25 Gusht, 2026

Kërkimi për dy persona që rezultojnë ende të zhdukur ka vijuar në brigjet juglindore të Tunizisë, pasi një varkë me 15 emigrantë u fundos në det, duke shkaktuar protesta të dhunshme në qytetin e Ben Guerdane-s.

Vullnetarë nga qyteti i Zarzis u nisën të hënën me varka peshkimi për të kërkuar personat e zhdukur. Sipas autoriteteve tuniziane, varka, e cila dyshohet se ishte nisur drejt Italisë, u fundos të premten në mbrëmje, rreth 14 milje detare ose 26 kilometra larg bregut të Zarzis. Ajo ishte nisur nga një zonë mes Zarzis dhe Ben Guerdane dhe kishte në bord kryesisht të rinj.

Vetëm një person arriti të mbijetojë. Sipas mediave tuniziane, ai qëndroi rreth 48 orë në det përpara se të shpëtohej nga një anije tregtare. Ndërkohë, deri të dielën, autoritetet kishin nxjerrë nga deti trupat e 12 personave.



Tragjedia shkaktoi zemërim të madh në Ben Guerdane, ku të dielën në mbrëmje shpërthyen protesta. Sipas Gardës Kombëtare tuniziane, 14 prej personave që ndodheshin në varkë ishin nga Ben Guerdane, ndërsa një tjetër ishte nga Zarzis. Protestuesit dogjën goma dhe bllokuan rrugët, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.

Banorët kërkuan përmirësimin e kushteve të jetesës, më shumë mundësi punësimi dhe zhvillim ekonomik për rajonin. Ata shprehen se mungesa e perspektivës dhe marginalizimi i vazhdueshëm po i shtyjnë të rinjtë të ndërmarrin udhëtime të rrezikshme përmes Mesdheut, me shpresën për të gjetur një jetë më të mirë në Evropë.

Mostafa Abdelkebir, kreu i Observatorit Tunizian për të Drejtat e Njeriut, deklaroi se në mesin e personave që ndodheshin në varkë ishin edhe shtatë anëtarë të së njëjtës familje. Ai tha se një spital në Ben Guerdane kishte pranuar të paktën 19 trupa emigrantësh të nxjerrë nga deti gjatë dy ditëve të fundit. Megjithatë, nuk është konfirmuar nëse të gjithë trupat i përkasin varkës që u fundos të premten.

Autoritetet po kryejnë analiza gjenetike për identifikimin e viktimave dhe për të përcaktuar numrin e saktë të personave që ndodheshin në bord. Në Tunizi janë shtuar gjithashtu thirrjet për shpalljen e një dite zie kombëtare për viktimat.

Deputeti Imad Oulad Jibril e cilësoi ngjarjen si një tragjedi kombëtare, duke theksuar se të rinjtë po largohen nga vështirësitë ekonomike në vend për t’u përballur me rrezikun e vdekjes në det. Edhe partia opozitare Blloku Demokratik e lidhi tragjedinë me krizën ekonomike dhe sociale të Tunizisë, duke ngritur pikëpyetje mbi arsyet që po i shtyjnë qytetarët të shohin kalimin e detit si një mundësi më të mire, sesa qëndrimin në vend.

Tunizia është përballur edhe më parë me tragjedi të ngjashme. Në vitin 2018, më shumë se 100 persona humbën jetën ose u zhdukën në katastrofën e Kerkennah, pasi një varkë me emigrantë u fundos. Ngjarja shkaktoi protesta dhe çoi në shkarkimin e ministrit të atëhershëm të Brendshëm. Ndërsa në Zarzis, në vitin 2022, të paktën 18 persona humbën jetën pasi një tjetër varkë me emigrantë u fundos, duke shkaktuar protesta që zgjatën për disa javë.

Bregdeti juglindor i Tunizisë ndodhet vetëm rreth 145 kilometra nga ishulli italian i Lampedusës, duke e bërë këtë zonë një prej pikave kryesore të nisjes së emigrantëve drejt Evropës.

Rruga e Mesdheut Qendror konsiderohet nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin si rruga më vdekjeprurëse e migracionit në botë. Sipas të dhënave të saj, të paktën 821 emigrantë kanë humbur jetën ose rezultojnë të zhdukur në këtë itinerar gjatë këtij viti, më shumë se dyfishi i numrit të regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në të gjithë Mesdheun, numri i viktimave dhe personave të zhdukur ka arritur në të paktën 1,065.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!