Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vijuar për të shtatën ditë radhazi aksionin para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në shenjë proteste ndaj mosvazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.
Në aksionin e sotëm janë bashkuar edhe deputetë të Aleancës, ndërsa pjesëmarrës janë edhe asamblistë të PDK-së nga Komuna e Lipjanit.
Përmes këtij aksioni, PDK-ja dhe Aleanca kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive dhe konstituimin e Kuvendit, duke e cilësuar kthimin e procesit në Kuvend si të domosdoshëm për funksionalizimin e institucioneve.
Asamblistja e PDK-së nga Lipjani, Yllëza Bedrolli, u bëri thirrje deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të rikthehen në Kuvend dhe të nisin procesin e formimit të institucioneve.
“E ftoj deputetin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje që me ardhur dhe me i hap dyert të Kuvendit edhe prej sot me filluar me i formuar institucionet, mos me i bllokuar këto edhe kryesisht mos me shkelë Kushtetutën, sepse Kushtetuta duhet të jetë mbi çdo interes politik”, deklaroi Bedrolli.
Ndërkohë, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se aksioni synon të rrisë ndërgjegjësimin qytetar dhe politik lidhur me atë që ai i konsideron shkelje kushtetuese në vend.
PDK-ja dhe Aleanca kanë paralajmëruar vijimin e aksionit deri në rifillimin e seancës konstituive dhe zhbllokimin e procesit institucional.


