Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Francë më 23 dhe 24 gusht, ku do të takohet me presidentin Emmanuel Macron. Në qendër të bisedimeve pritet të jenë çështjet rajonale, si dhe forcimi i partneritetit strategjik mes dy vendeve.
Vizita e liderit de facto të Arabisë Saudite nis të dielën, me pjesëmarrjen e tij në ceremoninë e mbylljes së Kupës së Botës së Sporteve Elektronike. Kompeticioni ndërkombëtar i videolojërave zhvillohet për herë të parë jashtë Arabisë Saudite, ndërsa Pallati Elize e ka cilësuar këtë si një shprehje të ambicies së përbashkët të Parisit dhe Riadit për të promovuar sportin dhe kulturën.
Gjatë vizitës, Macron dhe Mohammed bin Salman pritet të zhvillojnë edhe takimin e parë të Këshillit të Partneritetit Strategjik Francë-Arabi Saudite.
Sipas Pallatit Elize, dy liderët do të diskutojnë çështjet kryesore ekonomike dhe strategjike që lidhen me marrëdhëniet dypalëshe. Franca dhe Arabia Saudite kanë zgjeruar bashkëpunimin në disa sektorë, përfshirë mbrojtjen, aeronautikën dhe energjinë.
Një pjesë e rëndësishme e axhendës do t’i kushtohet gjithashtu zhvillimeve në Lindjen e Mesme. Parisi dhe Riadi synojnë të koordinojnë qëndrimet përballë krizave dhe konflikteve në rajon, nga Irani dhe Jemeni deri te Libani.


